Muhamet Ramadani ka garuar të enjten mbrëma në Kampionatin Evropian të atletikës në palestër, që po mbahet në Stamboll. Atleti 20-vjeçar ka kuptuar që e pret rrugë e gjatë për të prekur nivelet e larta te të rriturit. Ai është shpresë e madhe e atletikës kosovare, ndërsa është në fazën e kalimit nga të rinjtë te të rriturit. Ramadani garoi në hedhje të gjyles, ndërsa u rendit i 14-ti, përkatësisht i fundit prej atyre që kishin gjuajtje të suksesshme.
Dy garues nuk regjistruan gjuajtje të suksesshme, ndonëse i kishin nga tri tentime.
Atleti mitrovicas tentimin e parë e kishte të pasuksesshëm, ndërsa në tentimin e dytë e gjuajti gjylen 17.93 metra. Në tentimin e tretë dhe të fundit, gjylja e hedhur nga Ramadani shkoi në distancë prej 17.29 metra. I 13-ti ishte gjeorgjiani Giorgi Mujaridze me rezultatin më të mirë prej 19.05 metra.
Më i miri në kualifikime ishte Zane Weir i Italisë me hedhjen më të mirë prej 21.46 metra. Tetë më të mirët u kualifikuan në finale, ndërsa 20.20 metra ishte rezultati i fundit që siguroi finalen. Për Ramadanin është gara e parë këtë vit. Ai mban rekordin e Kosovës me hedhje prej 19.13 metra.
Këtë distancë e arriti vitin e kaluar. Ramadani ka pasur suksese të mëdha te të rinjtë, ndërsa tani po merr përvojë në nivelin senior.