Atleti Muhamet Ramadani nuk ka pasur garë të suksesshme në Lojërat Mesdhetare. Ramadani të enjten ka garuar në hedhje të gjyles, ndërsa nuk i është afruar zonës së medaljeve.
Ai ka përfunduar i njëmbëdhjeti, ndërsa gjithsej ishin 14 garues në konkurrencë. Njëri prej tyre nuk startoi fare në garë.
Ramadani 19-vjeçar, është ende duke marrë përvojën e duhur në nivelin senior. Dhe as që është pritur të përfshihet në luftë për medalje në Lojërat Mesdhetare. Pa llogaritur tre garues afrikanë, Ramadani kishte rekord më të vogël se gjithë pjesëmarrësit. Shumë prej tyre i takojnë elitës botërore në hedhje të gjyles.
Rekordi i Ramadanit është 18.72 metra, ndërsa ai nuk e arriti këtë rezultat në Oran të Algjerisë.
Atleti mitrovicas nisi me hedhje prej 17.26 metra. Në tentimin e dytë gjylen e gjuajti në distancë prej 17.55 metra. Ndërkohë në tentimin e tretë dhe të fundit arriti rezultatin më të mirë – 18.06 metra. Pra ai nuk i është afruar as rekordit personal, ndonëse synimet ishin për hedhje deri në afro 19 metra. Ramadani ka lënë prapa dy algjerianë, që nuk e arritën distancën prej 16 metra. Vetëm njëri prej tyre ishte më i ri se atleti kosovar.
Muhamet Ramadani ka arritur suksese të mëdha në kategori të reja. Ndërkohë është duke u pjekuar për rezultate të mira në nivelin e të rriturve. Ai pritet të përfitoi shumë nga përvoja në Oran dhe përballja me disa prej hedhësve më të mirë në botë.
“Kam pritur që Muhameti të arrij rezultat më të mirë. Kam pritur që me distancë prej 19 metrave të kthehemi në Kosovë. Por kohët e fundit kemi pasur disa ngecje. Kjo na ndodhi edhe në Rumani. Duke pasur parasysh se është viti i parë me seniorë, kemi kohë të mjaftueshme të punojmë në forcë, teknikë dhe eksplozivitet. Ky ishte prezantimi ynë i parë në një garë serioze për të rritur dhe emocionet e kanë brë të veten. Por do të vazhdojmë të punojmë shumë. Edhe më shumë madje. Ndërsa prej kësaj gare do ta marrim përvojën e duhur për të ecur para”, ka thënë për KOHËN, Shaban Ramadani, trajneri dhe babai i Muhamet Ramadani.