Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Muhamet Ramadani nuk realizon synimin në Evropian, mbetet i fundit

Muhamet Ramadani ka udhëtuar me synim të qartë për në Munih të Gjermanisë, ku po mbahet Kampionati Evropian i atletikës.

20-vjeçari ishte i vetëdijshëm se ende nuk ka arritur nivelin për të garuar për medalje evropiane, ndërsa synim e kishte që të përmirësojë rezultatin personal. Por hedhësi i gjyles ishte larg synimit të hënën paradite, kur edhe filloi Evropiani për seniorë.

Ramadani hedhjen më të mirë e ka pasur 18.26 metra, ndërsa rekordi i tij është 18.72 metra. Kështu atleti mitrovicas mbeti i fundit, përkatësisht i 22-ti. I parafundit kishte hedhjen më të mirë në distancë prej 19.19 metra. Në finale është kaluar me hedhje prej 19.91 metra, ndërkohë që më i miri në kualifikime kishte hedhje prej 21.82 metra. Ramadani ka garuar në grupin e dytë të kualifikimeve. Hedhja e parë e tij ishte e pasuksesshme. Në hedhjen e dytë gjylen e dërgoi 18.26 metra larg. Ndërsa në hedhjen e tretë vetëm 17.77 metra. Garuesit kishin nga tri prova.

Ramadani ka pasur rezultate të mëdha në kategori të reja, ndërsa është duke fituar përvojë në nivelin e të rriturve. Fillimi megjithatë po del shumë sfidues. Rekordi botëror në hedhje të gjyles është 23.37 metra, ndërsa atë e ka vendosur amerikani Ryan Crouser, vitin e kaluar. Rekordi evropian është 23.06 metra, ndërsa është vendosur në vitin 1988 nga gjermani Ulf Timmermann.

Edhe më herët ishte vendosur rekordi i Kampionateve Evropiane, në vitin 1986. Zvicerani Werner Guenthoer e kishte hedhur gjylen në distancë prej 22.22 metra. Në Evropianin e atletikës garon edhe vrapuesja Gresa Bakraçi.