Kur te Girona e rrethuan në kalendar vizitën e së shtunës të Real Madridit, nuk kanë mundur të imagjinojnë që do të presin kampionët e Carlo Ancelottit si liderë të La Ligas. Ndeshja Girona – Real Madrid zhvillohet të shtunën prej orës 18:30, në stadiumin “Montilivi”, me kapacitet prej më pak se 15 mijë ulëseve.
Katalanasit, të promovuar në vitin 2022 dhe vetëm në edicionin e tyre të katërt në elitën e futbollit të Spanjës, kanë regjistruar gjashtë fitore radhazi dhe janë të pamposhtur deri më tani. Kanë tubuar 19 pikë nga shtatë ndeshje të luajtura këtë edicion. Është një situatë si në ëndërr për trajnerin Michel dhe drejtorin sportiv, Quique Carcel, të cilët insistojnë se synimi i klubit nuk është më i madh sesa thjesht mbijetesa.
“Ne po përfitojmë maksimalisht nga ky moment i jashtëzakonshëm”, tha Carcel. “Ne kemi një objektiv shumë të qartë, që është të qëndrojmë në La Liga. Por fakti që tashmë kemi 19 pikë na jep shumë siguri”.
Klubi, i cili u themelua në vitin 1930, u ble në vitin 2017 nga “City Football Group”, kompania me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe që e posedon Manchester Cityn. Vëllai i trajnerit të Cityt, Pep Guardiola, Pere, është kryetari i Gironas. Ai tha se “50 për qind e punës është kryer” sa i përket synimit të klubit.
Trajneri i Gironas, Michel, nuk po emocionohet shumë nga këto rezultate, ndërsa po u thotë tifozëve të skuadrës që ta fotografojnë Gironan në krye të tabelës për ta pasur si kujtim për të ardhmen. Edhe Michel këmbëngul se objektivi i vetëm i skuadrës së tij është që edhe edicionin tjetër të paraqitet në La Liga.
Edhe
Girona po përpiqet të ulë pritshmëritë pas fillimit mbresëlënës të edicionit
“Ky është synimi i vetëm dhe shpresojmë që ta arrijmë sa më shpejt që është e mundur”, tha Michel.
Duke udhëtuar nëpër ligat e ulëta për pjesën më të madhe të ekzistencës 93-vjeçare, kufizimi i klubit është i kuptueshëm. Megjithatë Girona po fiton shumë admirues. Për trajnerin e Barcelonës, Xavi Hernandez, fillimi mbresëlënës i sezonit nga ekipi fqinj nuk është befasi.
“Te Girona meritojnë shumë lëvdata, sepse janë bërë një ekip spektakolar”, pranoi Xavi. “Ata i kanë bërë gjërat mirë për disa vjet. Projekti i tyre është shumë i qartë dhe ata kanë një trajner shumë të mirë, Michelin”.
Duke luajtur një lojë sulmuese, Girona e përfundoi edicionin e kaluar në vendin e dhjetë, vetëm katër pikë prapa Osasunas, e cila u kualifikua në plejofin e Ligës së Konferencës.
“Është e vërtetë që ne ndihemi shumë më të fortë se kur u promovuam për herë të parë në La Liga, në vitin 2017”, vazhdoi Carcel. “Duhet të qëndrojmë të përulur, por edhe të kemi ambicie për të bërë një hap përpara këtë edicion”.
Girona po lulëzon pavarësisht se ka humbur disa figura kyç nga skuadra e edicionit të kaluar, përfshirë mesfushorin defensiv Oriol Romeu dhe sulmuesin Taty Castellanos, golashënuesi më i mirë në të gjitha garat, i cili ishte i huazuar nga New York City.
Edhe
Girona po vlerësohet “Leicesteri i ri”
“Edhe pse kemi humbur katër lojtarë të rregullt të ekipit të parë, ne kemi mbajtur 15 ose 16 lojtarë nga skuadra e edicionit të kaluar, të cilët besojnë në atë që trajneri po përpiqet të arrijë”, shtoi drejtori sportiv.
Katalanasit kanë rekrutuar me zgjuarsi këtë verë, të ndihmuar nga struktura e “City Football Group” dhe rrjeti i tij i gjerë i rekrutimit dhe skautimit. Girona, 47 për qind në pronësi të Sheikut Mansour, nënkryetar i organizatës së Emirateve të Bashkuara Arabe, transferoi sulmuesin ukrainas Artem Dovbyk, transferi më i shtrenjtë në historinë e klubit me 7.5 milionë euro. Pastaj mori mesfushorin Yangel Herrera, të blerë nga Manchester City për pesë milionë euro dhe anësorin brazilian Savinho, të huazuar nga Troyesi, i cili ka shkëlqyer. Këta tre lojtarë kanë qenë kyç në fillimin e suksesshëm të Gironas.
Girona gjithashtu transferoi mbrojtësin holandez, Daley Blind, dhe huazoi Eric Garcian nga Barcelona. Pikërisht goli i Garcias në mesjavë në fitoren ndaj Villarrealit e dërgoi Gironan në krye të tabelës.
Carcel thotë se Girona është “e mrekullueshme për t'u parë” dhe ka “një avantazh garues” ndaj rivalëve për shkak të mbështetjes së “City Football Group” për "infrastrukturën, kërkimin, kujdesin dhe ushqimin”.
Në fushë, Carcel thotë se “magjia” ndodh, sepse Michel ka mjaft talent për ta bërë ekipin që të luajë futboll atraktiv dhe sulmues. Është një recetë që funksionon, me Gironan që ka shënuar 18 gola në shtatë ndeshjet e para – më shumë se çdo skuadër tjetër në La Liga. Trajneri i Realit, Ancelotti thotë se Girona po ashtu ka një “përparësi shumë të madhe” duke mos pasur nevojë të shqetësohet për garat evropiane.
Edhe
Girona po sfidon gjigantët e Spanjës pas startit të furishëm
“Ajo ka mundësinë të përgatitet mirë për ndeshjet çdo javë”, tha italiani. “Ne kemi lodhje, lëndime, nuk kemi kohë të shërohemi”.
Girona do të përpiqet ta konfirmojë formën e mirë në stadiumin “Montilivi” të shtunën, ku e ka mposhtur Realin dy herë në katër ndeshjet e fundit.