Sport

Girona po vlerësohet “Leicesteri i ri”

Shumica e tifozëve të futbollit mund ta shohin ngjitjen mahnitëse të Gironas në nivelet e larta të La Ligas të Spanjës si një “magji” të fillimit të edicionit. Por ish-sulmuesi i Spanjës dhe Barcelonës, Luis Garcia, nuk është një prej tyre.

Garcia thotë se Girona nuk është rastësisht në krye të tabelës dhe se mund ta fitojë titullin e kampionit të Spanjës. Madje e vlerëson si “Leicesterin e ri”, duke kujtuar suksesin e papritur të ekipit anglez në Premier League.

Trajneri i Gironas, Michel, ka minimizuar shanset e skuadrës së tij për të fituar titullin, duke thënë se nuk janë në nivelin e elitës së ligës, pavarësisht se janë të barabartë me nga 38 pikë me Real Madridin, që është lider falë goldallimit.

Girona ka 12 fitore, dy humbje dhe një barazim deri më tani, njësoj si Real Madridi. Ka katër pikë më shumë se Barcelona e vendit të tretë. Girona ka shënuar më shumë gola se çdo ekip tjetër në elitën e Spanjës, përpara duelit që do ta ketë me Barcelonën të dielën.

“Girona sapo ka dalë nga askund”, tha Garcia, duke shtuar se ai sheh paralele midis rritjes së Gironas dhe suksesit përrallor të Leicester Cityt kur fitoi titullin në Angli në edicionin 2015/16. “Girona është Leicesteri i ri. Edhe për Leicesterin askush nuk besonte se do ta fitonte titullin por në fund ia doli. Kështu do të jetë edhe me Gironan”.

Pasi u promovua në Premier League në vitin 2014, Leicesterit iu nevojit një garë e vonshme për të shmangur atë që dukej si një rënie e sigurt, përpara se të fitonte titullin në edicionin pasues.

Girona, e cila u promovua përmes një plejofi në edicionin 2021/22 dhe përfundoi e dhjeta në La Liga edicionin e kaluar, duket se po ndjek një skenar të ngjashëm.

“Girona mund t’ia dalë pasi nuk ka ndeshje evropiane dhe po ashtu nuk ka shumë lojtarë që ftohen nga përfaqësueset. Girona mund të pushojë me shumë dhe të bëjë rotacion çdo javë, duke luajtur me njëmbëdhjetëshin më të mirë. Nuk është kundërshtar i lehtë për t’u mposhtur. Po ashtu, nuk e ka as presionin për titullin e kampionit”, shtoi Garcia.

Atletico Madridi është skuadra e vetme përveç Realit dhe Barcelonës që ka fituar La Ligan në dekadën e fundit, duke siguruar titullin në vitet 2014 dhe 2021. Kështu që këtë edicion ka gjasa që Girona të bëhet ekipi i dytë që do ta thyejë dominimin e Real Madridit dhe Barcelonës.

“Girona gradualisht po i fiton zemrat e tifozëve dhe mund t’i heshtë të gjithë ata që dyshojnë në suksesin e saj në La Liga. Ndoshta jam prej atyre pak njerëzve që besojnë në Gironan, por futbolli po ndryshon dhe befasitë po ndodhin, pothuajse gjithmonë”, shtoi Garcia.

Edhe nëse humb nga Barcelona, skuadra e Gironas do ta ketë të sigurt vendin e dytë në tabelë pas xhiros së 16-të. Në pozitën e katërt është Atletico Madridi, ekip që ka shtatë pikë më pak se Girona.