Sadio Mane është pranë transferimit tek Al-Nassr në Arabinë Saudite, pas vetëm një viti te Bayerni. Pasi u përshëndet me bashkëlojtarët e deritashëm te Bayerni të dielën në Tokio, senegalezi 31-vjeçar ka nisur kontrollimet mjekësore të hënën në Dubai.
Ish-sulmuesi i Liverpoolit ka folur për Sky Sport të Gjermanisë për largimin e parakohshëm nga Bayerni.
“T’i them lamtumirë Bayernit më lëndon. Do të doja një fund tjetër”, ka thënë Mane.
“E di se do të mund ta ndihmoja ekipin në kampionatin e ri. Kam dashur t’ua dëshmojë të gjithëve këtë stinor”.
Pra Mane e ka konfirmuar se do të dëshironte të qëndronte te kampioni gjerman. Në periudhën te Bayerni, Mane kishte më shumë dështime se suksese. Ai ishte lënduar para Botërorit në Katar dhe kjo e kishte ndikimin.
Mane tani po transferohet në Arabi Saudite, ndërsa ka mbetur vetëm edhe kontrollimi mjekësor. Ai po largohet pasi përgjegjësit në Bayern i kanë bërë presion për një gjë të tillë. Mane, që ka shkëlqyer kohë të gjatë te Liverpooli, nuk është në planet e trajnerit Thomas Tuchel. Nëse do të qëndronte te Bayerni, me shumë mundësi do të mbetej në stol.
Mane megjithatë, nuk mban inat me gjigantin bavarez.
“Ende u dëshiroj klubit dhe tifozëve çdo të mirë në të ardhmen”, ka thënë Mane.
Ai bëhet ylli i radhës që transferohet në Arabi Saudite. Këtë verë shumë yje të futbollit kanë kaluar në futbollin arab. Kontratat milionëshe ishin vendimtare.
Bayerni për Manen do të përfitojë prej 28 deri në 30 milionë euro. Ai ka firmosur me Al-Nassr kontratë të vlefshme deri në vitin 2027 dhe pritet të përfitojë mbi 40 milionë euro në vit. Por për një shans të dytë te Bayerni, ai ishte i gatshëm të hiqte dorë nga milionat në Arabi Saudite.