Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, e përshkroi Sadio Manen si “ikonë e ditëve moderne” të skuadrës angleze, pasi sulmuesi senegalez u transferua te Bayern Munichu për 32 milionë euro, plus bonuset. Prezantimi i tij u bë të mërkurën te Bayerni.
“Është moment i madh – nuk ka kuptim që dikush të përpiqet e të shtiret ndryshe”, ka thënë Klopp. “Një nga lojtarët më të mëdhenj ndonjëherë të Liverpoolit po largohet dhe ne duhet ta kuptojmë se sa e rëndësishme është kjo”.
30-vjeçari Mane nënshkroi kontratë me Bayernin deri në qershor të vitit 2025, me një marrëveshje që mund të rritet deri në 41 milionë euro, varësisht prej të arriturave në të ardhmen me fuqinë bavareze.
“Janë pak lojtarë si ai në botë”, ka pranuar shefi ekzekutiv i Bayernit, Oliver Kahn. “Jemi të sigurt se Sadio Mane do t’i kënaqë tifozët tanë në vitet e ardhshme me stilin spektakolar të lojës. Ai është ambicioz dhe i etur për të fituar më shumë tituj. Është diçka e fuqishme”.
Edhe vlerësimet e Kloppit për senegalezin Mane ishin të ngjashme me ato të Kahnit.
“Ai largohet me mirënjohjen dhe dashurinë tonë”, ka thënë trajneri i Liverpoolit. “Ai largohet me statusin e më të mirëve. Dhe, po, ai largohet në momentin ku është prej lojtarëve më të mirë të futbollit në gjithë botën. Por, ne nuk duhet të mërzitemi se çfarë kemi humbur, në fakt duhet të festojmë se e kishim privilegjin që e kishim në skuadër. Golat që i shënoi, trofetë që i ka fituar; një legjendë natyrisht, por po ashtu, ikonë e ditëve moderne të Liverpoolit”.
Mane vetëm sa e ka kompletuar sezonin më të mirë të karrierës së tij sipas vlerësimeve të bëra, duke konvertuar në gol penalltinë vendimtare në Kupën e Afrikës për Senegalin, e ndihmoi shtetin e tij të kualifikohet në Kupën e Botës “Katari 2022” dhe shkëlqeu me Liverpoolin në kampanjën ku skuadra ishte afër t’i fitonte katër trofe.
Ai fitoi çdo trofe të mundshëm me fanellën e Liverpoolit - Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës për Klube në vitin 2019, Premier Leaguen në vitin 2020 dhe Kupën FA e Kupën e Ligës në vitin 2022. Mane ka shënuar 31 gola në 89 paraqitje për Senegalin dhe u emërua futbollisti më i mirë i Afrikës në vitin 2019.
“Kam punuar shumë në jetën time për të luajtur për klubet më të mëdha në botë. Kur luan për Bayernin, e di mirë se çfarë të pret”, ka thënë Mane të mërkurën në konferencën për shtyp, kur edhe u prezantua si futbollist i ri i bavarezëve. “E gjithë jeta ime ka qenë një sfidë. I dua sfidat. Kemi ekip të fortë këtu dhe duam të fitojmë gjithçka. Të gjithë lojtarët janë të formuar për të fituar trofe”.
Mane theksoi po ashtu se ai që e bindi për ta besuar projektin e Bayern Munichut ishte trajneri i skuadrës Julian Nagelsmann, me të cilin kishte biseduar paraprakisht.
“Ishte shumë i rëndësishëm takimi me të dhe njohja e projektit. Kur klubi më tregoi për idetë, mbeta i magjepsur. Nuk mendova dy herë dhe vendosa menjëherë e thashë se ‘ky është klub për mua’. Gjithmonë kam menduar se Bayerni është klubi i duhur për t’u zhvilluar”, zbuloi Mane.
Liverpooli e zëvendësoi Manen me sulmuesin Darwin Nunezin, të cilin e transferoi nga skuadra e Benficas. Sa i përket Bayernit, arritja e Manes do t’i nxitë spekulimet se ylli i sulmit, polaku Robert Lewandowski do të largohet. Lewandowski i cili shënoi 312 gola në 384 ndeshje të Bundesligës për Bayernin dhe ish-klubin Borussia Dortmund, po e kërkon largimin qëkur përfundoi sezoni. Lewandowski realizoi 35 gola në 34 paraqitje në sezonin e kaluar, për t’u bërë golashënuesi më i mirë i Bundesligës për sezonin e pestë rresht dhe për të shtatën herë në total. Në edicionin e kaluar e theu rekordin e vjetër për më së shumti gola brenda një sezoni në Bundesligë, kur realizoi 41 herë. Mane e mbylli sezonin e kaluar si sulmues qendre te Liverpooli. Realizoi 120 gola në 269 ndeshje zyrtare për klubin, qëkur iu bashkua ekipit nga Southamptoni në vitin 2016. Më herët ka luajtur për Salzburgun ku e fitoi titullin austriak, si dhe luajti për Metzin francez, të cilit iu bashkua si 19-vjeçar nga skuadra e Senegalit, Generation Foot.
“Të gjithë i dinë kualitetet teknike të jashtëzakonshme si dhe mentalitetin e jashtëzakonshëm”, theksoi drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamixhiq. “Ai do të kontribuojë shumë dhe do të jetë lider i ekipit tonë, që ka strukturë të shkëlqyer”.
Mane, i cili udhëtoi në Muenchen të martën për t’i përfunduar testet mjekësore, u bë transferimi i tretë i skuadrës së Bayern Munichut për sezonin e ri. Para tij te Bayerni janë prezantuar edhe Ryan Gravenberch e Noussair Mazrouai nga Ajaxi. Senegalezi Mane është transferimi i 11-të më i shtrenjtë në histori të Bayernit, por është afrikani më i shtrenjtë që u ble nga bavarezët. Deri tani rekordin e mbante Medhi Benatia, i lindur në Francë por që përfaqësonte Marokun në nivel përfaqësuesesh. Benatia u kushtoi bavarezëve 28 milionë euro në vitin 2014.