Sadio Mane do t’i bashkohet Bayern Munichut. Kampioni gjerman ka arritur marrëveshje prej 41 milionë eurosh me Liverpoolin për transferimin e Manes. Është drejtori sportiv i klubit gjerman, Hasan Salihamigjiq që ka konfirmuar se sulmuesi është rrugës për te kampioni i Bundesligës.
Liverpooli do të marr 32 milionë euro për shitjen e Manes, ndërsa gjashtë milionë të tjerë janë në dispozicion bazuar në paraqitje. Liverpooli mund të përfitoi edhe tre milionë të tjerë, varësisht nga sukseset individuale të senegalezit dhe sukseseve të klubit.
Transferimi nënkupton se Liverpooli e shet sulmuesin e krahut për 39 milionë euro më shumë se që e ka blerë nga Southamptoni në vitin 2016. Por për Bayernin është puna kryesore në këtë afat kalimtar.
Për javë të tëra është raportuar për kalimin e Manes te Bayerni. Allianz Arena dukej destinacioni i vetëm i tij. Dhe gjiganti gjerman tashmë ka përfunduar punën.
Duke folur për Sky Sport Germany, Salihamigjiq është pyetur për lajmet e fundit për lëvizjen e Manes. Ka pasur gjatë ditës raportime për marrëveshje mes dy klubeve.
“Po, ai po vjen”, ka thënë boshnjaku.
30-vjeçari Mane ka njoftuar Liverpoolin për dëshirën e tij që të largohet, pas humbjes së finales së Championsit nga Real Madridi në muajin maj. Mane është gati për një sfidë të re pas gjashtë vjetësh në Anfield.
Bayerni menjëherë është favorit për transferimin e Manes, pasi gjiganti gjerman ka nevojë për forcë sulmuese.
Bayerni pritet të mbetet pa Robert Lewandowskin, që po insiston në synimin e tij për të kaluar diku tjetër, me shumë mundësi te Barcelona.
Mane largohet pas gjashtë vjetësh shumë të suksesshme te Liverpooli.
Sulmuesi ka fituar Ligën e Kampionëve, Premier Leaguen, Kupën FA, Kupën e Ligës, Superkupën e UEFA-s dhe Botërorin e klubeve, gjatë kohës së tij te të kuqtë. Në përgjithësi ai ka bërë 269 paraqitje për klubin dhe ka shënuar 120 gola.