U prit me bujë të madhe dhe u përgëzua lajmi që Kohavisioni do t’i transmetojë disa nga ndeshjet kryesore të Ligës së Parë, që është rangu i dytë i futbollit kosovar. Shtatë prej tyre u transmetuan me sukses, duke marrë komente pozitive për ngritjen e futbollit të një rangu më të ulët, që është përcjellë pak, për të mos thënë fare. Megjithatë, Kohavisioni me gjithë angazhimin në javën që po lëmë pas, nuk arriti që ta transmetojë asnjë prej atyre që ishin më kryesore e që vendosën për titullin e kampionit në xhiron e fundit të këtij sezoni në të dy grupet. Skuadra e Vëllaznimit si vendase e lejoi në fakt Kohavisionin që t’ia transmetojë duelin e fundit kundër Malishevës, por kërkoi 20 mijë euro dëmshpërblim për transmetimin e kësaj ndeshjeje. Malisheva doli kampione, pasi fitoi dhe e përfundoi edicionin si e para në Grupin A.
KTV-ja provoi që ta bënte të mundur edhe transmetimin e duelit mes Ramiz Sadikut dhe Ulpianës. Drejtuesit e ekipit vendës nuk pranuan që ky duel të transmetohet. Madje, iu tha se nuk do të lejohet as një kamerë, pa transmetues direkt. Edhe Ulpiana u bë kampione në Grupin B, pasi fitoi 2:1 në Prishtinë. Për shkaqe teknike, në mungesë të internetit dhe vendeve për vendosjen e kamerave, KTV-ja nuk arriti ta realizonte transmetimin e njërës prej ndeshjeve mes Vllaznisë së Pozheranit e Flamurtarit, si dhe Trepçës e Dukagjinit, përkundër që kryesitë e dy klubeve u pajtuan dhe ishin të gatshme për bashkëpunim. Flamurtari, Malisheva dhe Vushtrria kanë qenë klubet më bashkëpunuese.
Në xhiron e fundit, të 27-të në Ligën e Parë, u vendosën kampionët, skuadrat që do të luajnë në barazh dhe ato që janë larguar nga liga. Malishevës i duhej vetëm një pikë për t’u inkuadruar direkt, por fitoi 3:0 në Gjakovë. Golat u shënuan nga Viktor Kuka(15’), Altin Aliu (27’) dhe Armend Abazi (66’). Ky sukses i Malishevës u arrit pas vetëm pesë vjetësh si e ekip i themeluar. U themelua në vitin 2016, ndërsa suksesin historik e arriti nën drejtimin e trajnerit malishevas, Arsim Thaqi.
“Nuk është sezoni im më i suksesshëm si trajner, por më emocional padyshim. Është emocionale sepse jam me prejardhje nga Malisheva dhe është historike, pasi për herën e parë, Malisheva është në Superligën e Kosovës në futboll”, theksoi Thaqi.
Trajneri Thaqi nuk e di nëse do të mbetet ende pjesë e Malishevës. Mirëpo, ka thënë se do të bisedojë me klubin pasi marrëveshja e tij me klubin ka përfunduar me inkuadrimin në Superligë. Prej më meritorëve të këtij suksesi ishte padyshim edhe sulmuesi Albion Rrahmani. Rrahmani e përfundoi edicionin me 17 gola e katër asistime në ligë dhe në Kupë.

“Është hera e parë që klubi i Malishevës u fut në Superligë dhe është historike. Jam shumë krenar që kam bartur barrën kryesore bashkë me lojtarët tjerë. Po ndihemi shumë i lumtur për këtë sukses mjaft të madh të klubit tonë. Është arritur falë punës, përkushtimit dhe angazhimit maksimal”, theksoi sulmuesi të shtunën për KOHËN.
Malisheva e mbylli kampionatin në vendin e parë me 60 pikë, dy më shumë se Dukagjini që do ta luajë barazhin e Ligës së Parë. Në Grupin A, në vendin e fundit ka mbetur Vushtrria me 20 pikë. E barazhin prej Grupit B, e ka siguruar edhe Flamurtari që edicionin e përfundoi në pozitën e dytë. Në barazh, Flamurtari do të përballet me Dukagjinin. Mesfushori i Flamurtarit, Korab Hasani, e ka vlerësuar ndeshje të vështirë atë me Dukagjinin, ndërsa për inkuadrimin në Superligë, ka thënë se nuk është mision i pamundur.
“Gjasat janë reale dhe nuk është e pamundur. Njëherë do ta marrim lojën e parë me seriozitet shumë të madh. Mendoj se kemi ekip e kapacitet që ta kalojmë Dukagjinin. Pastaj, do ta shohim se kë e kemi kundërshtar dhe do të përgatitemi maksimalisht për t’u rikthyer në Superligë”, theksoi Hasani.
Në Grupin B, skuadra e Ulpianës u shpall kampione dhe do të rikthehet në Superligë pas më shumë se një dekade. Ulpiana të shtunën e mposhti Ramiz Sadikun në Prishtinë me rezultatin 2:1, me dy gola të realizuar nga Bardh Bylykbashi. Për herën e fundit, Ulpiana garoi në Superligë në edicionin 2008/2009. Arkëtoi 53 pikë pas 27 xhirove, një më shumë se Flamurtari i dyti.
“Ndjenja e kampionit është ndjenjë jashtëzakonisht e mirë, marrë parasysh se e kemi pasur shumë të vështirë, edhe pse nga fillimi i sezonit kemi qenë në krye të renditjes”, ka thënë pas ndeshjes Shqiprim Kelmendi, kapiteni i skuadrës së Ulpianës.
Fituesi i ndeshjes mes Flamurtarit e Dukagjinit, do të luajë në barazhin e Superligës kundër ekipit të tetë në tabelë. “Mendoj se i kemi pasur gjasat shumë të mira për t’u inkuadruar nëSuperligë. Përjashtuar lojën me Vushtrrinë, nga neglizhenca kemi menduar se e kemi të lehtë aty. E dimë se si shkoj dhe nuk arritëm atë që u desh. Në Kupë bëmë lojë të mirë, shkuam deri në penallti, e fati nuk ishte me ne, nuk arritëm ta fitojmë Kupën. Do të angazhohemi e të përgatitemi sa më shumë për lojën me Flamurtarin. Me Flamurtarin do të jetë shumë e fortë. Flamurtari ka lojtarë cilësorë. Edhe ata ishin pretendentë kryesorë për t’u inkuadruar në Superligë nga vendi i parë, por edhe ata nuk ia arritën qëllimit”, theksoi Labinot Osmani, që këtë edicion me Dukagjini ka realizuar 13 gola në kampionat.
Do të jetë shpresë tjetër për ta prekur Superligën edicionin e ardhshëm. Në vendin e fundit në këtë grup është KEK-u, me 28 pikë.
Liga e Parë – 27
Grupi A
Onix – Liria 0:2
Vushtrria – A&N 1:3
Drenasi – Istogu 2:1
Trepça – Dukagjini 3:5
Vëllaznimi – Malisheva 0:3
1. Malisheva 27 60
2. Dukagjini 27 58
3. Istogu 27 47
4. A&N 27 37
5. Liria 27 34
6. Trepça 27 33
7. Vëllaznimi 27 29
8. Onix 27 28
9. Drenasi 27 25
10. Vushtrria 27 20
Grupi B
Ferizaj – Dardana 4:2
KEK-u – 2 Korriku 2:1
Vllaznia – Flamurtari 1:5
Kika – Vitia 3:2
R. Sadiku – Ulpiana 1:2
1. Ulpiana 27 53
2. Flamurtari 27 52
3. 2 Korriku 27 42
4. Vitia 27 35
5. Kika 27 34
6. R. Sadiku 27 32
7. Dardana 27 32
8. Vllaznia 27 31
9. Ferizaj 27 30
10. KEK-u 27 28