Futboll

Fitore e madhe e Malishevës ndaj Dukagjinit

Malisheva

Malisheva ka fituar në udhëtim te Dukagjini në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, ndonëse në minutat e fundit të ndeshjes mbeti me një futbollist më pak në fushë.

Malisheva të dielën në xhiron e 12-të të Superligës së Kosovës në futboll fitoi me rezultatin 2:1.

Etnik Brruti i shënoi të dyja golat për malishevasit, që të dielën u udhëhoqën nga Skender Ulluri. Ulluri në krye të Malishevës është në vend të trajnerit Qatip Osmanit, që u largua nga skuadra ditë më parë. 

Brruti në minutën e 21-të shënoi për 1:0, ndërsa Altin Merlaku i barazoi shifrat në minutën e 35-të.

Malisheva vazhdoi lojën e mirë dhe shënoi tjetër gol me mesfushorin Brruti, në minutën e 68-të. Ishte edhe goli i fitores 2:1 për Malishevën.

Nga minuta e 76-të, mysafirët mbetën me një futbollist më pak në fushë. Donart Vitija u përjashtua nga loja, por rezultati nuk ndryshoi më.

Për Dukagjinin ishte humbja e katërt në gjashtë ndeshjet e fundit, ndërsa ka edhe një fitore dhe një barazim në këtë ecuri.

Ndërkohë, Malisheva fitoi për herë të dytë në pesë ndeshjet e fundit ku i ka edhe tri humbje.

Malisheva me 16 pikë pas 12 ndeshjeve renditet në vendin e gjashtë, një më pak se Dukagjini që është i katërti.

Lexo përditësimet tjera
FFK Futbolli ilustrim superliga

Fitojnë Drita e Malisheva, barazon Prishtina e Re me Drenicën