Sport

Ludogoretsi, klubi nga qyteti i vogël, me pronar të fuqishëm dhe suksese shumë të mëdha

Zhalgirisi i Lituanisë ishte kundërshtari i Ballkanit vjet në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Kampioni i Kosovës, Ballkani, në fazën e njëjtë të garave tani ka përballë kundërshtar dukshëm më të fortë.

Në raundin e parë kualifikues të Championsit, Ballkani i Suharekës përballet me kampionin e Bullgarisë, Ludogorets Razgrad. Ndeshja e parë luhet të martën nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja e kthimit është në Razgrad të Bullgarisë më 19 korrik.

Ludogoretsi është vlerësuar kundërshtari më i fortë i mundshëm i Ballkanit. Nëse krahasohet me Zhalgirisin, është klub dukshëm më i suksesshëm.

I ka disa të veçanta klubi Ludogorets. Për shembull, përfaqëson një qytet fare të vogël, Razgradin, që i ka vetëm 29 mijë banorë. Ndeshjet i luan në “Huvepharma Arena”, stadiumin me 10 mijë ulëse. Stadiumi është rindërtuar plotësisht gjatë dekadës së kaluar dhe i plotëson kriteret për ndeshje evropiane.

Ludogoretsi është themeluar si klub në vitin 1945. Por vetëm në shtator të vitit 2010 u bë i rëndësishëm për futbollin bullgar. Ndryshimi i madh u bë kur pronësinë e klubit e mori afaristi i fuqishëm bullgar, Kiril Domuschiev. Ai është i fuqishëm sidomos në industrinë farmaceutike.

Në edicionin e parë në epokën e Domuschievit, Ludogoretsi u promovua në elitën bullgare. Madje për herë të parë në histori. Suksesi i madh u festua në maj të vitit 2011. Më pas Ludogoretsi shtriu dominimin në Bullgari. Në edicionin 2011/12 fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Bullgarisë. Prej atëherë i ka fituar të gjithë 12 titujt e kampionit të Bullgarisë. Ka edhe tri kupa, të fundit në edicionin e kaluar. Ka fituar, po ashtu, Superkupën e Bullgarisë gjashtë herë.

Kundërshtari i Ballkanit ka sukses të madh edhe në garat evropiane. Në fazën grupore të Ligës së Kampionëve arriti në edicionin 2014/15 dhe 2016/17. Herën e parë ishte në grup me Real Madridin, Baselin e Liverpoolin. Herën e dytë ishte në grup me Arsenalin, PSG-në dhe Baselin. Madje e la Baselin prapa. Në të dy rastet Ludogoresti luajti si vendës në Sofje.

Në Ligën e Evropës është paraqitur në 1/8 e finales në edicionin 2013/14, në 1/16 e finales në edicionet 2016/17, 2017/18 dhe 2019/2020. Në fazën grupore është paraqitur në katër raste, duke përfshirë edhe edicionin e kaluar.

Vjet ishte në grup me Real Betisin, Romën, e HJK-në. Mblodhi shtatë pikë, duke përfunduar i treti dhe duke lënë pas HJK-në. Në edicionin e kaluar të Ligës së Evropës, Ludogoretsi ndeshjet i luajti në stadiumin e tij në Razgrad. Më pas vazhdoi në fazën nokaut të Ligës së Konferencës ku u ndal nga Anderlechti.

Prej marsit të këtij viti Ludogoretsin e udhëheq sërish Ivaylo Petev, që ishte në krye të skuadrës edhe prej vitit 2010 deri në vitin 2013. Ai ka udhëhequr edhe Levskin e Sofjes, AEL Limassolin, Bullgarinë, Dinamo Zagrebin, Bosnjë-Hercegovinën dhe disa skuadra të tjera.

Kundërshtari i Ballkanit është në seri shumë pozitive, ndërsa ka shfaqur rezultate pozitive edhe në fazën përgatitore.

Skuadra bullgare të hënën udhëton për në Prishtinë, ndërsa në mbrëmje zhvillon një stërvitje në “Fadil Vokrri”.

Së fundi Ludogoretsi angazhoi spanjollin Son, që deri më tani ishte te Levante. Ai luan mbrojtës i majtë. Më herët këtë verë firmosi edhe me mbrojtësin e majtë, gjermanin Marcel Heister. Ai u transferua nga Fehervari hungarez. Në skuadrën bullgare ka lojtarë edhe nga Holanda, Brazili, Portugalia, Argjentina, Kroacia, Izraeli, Norvegjia, Angola, Benini, Rumania, Ukraina, Gana dhe natyrisht nga Bullgaria.

Më 6 korrik ishte festa e titullit të 12-të rresht. Klubi njihet me nofkën “shqiponjat”, ndërsa një shqiponjë ishte edhe në festën e javës së kaluar.

“E pranojmë shortin. Futbolli në Kosovë është në zhvillim, në nivel klubesh dhe përfaqësuesesh. Nuk duhet të ketë dozë të nënçmimit në ndeshjet që na presin. Ballkani ishte në fazën grupore të Ligës së Konferencës edicionin e kaluar, që do të thotë se po lëviz në drejtimin e duhur. Por ne kemi synime për Ligën e Kampionëve dhe do t’u përmbahemi atyre. Rivali i parë është Ballkani dhe ne jemi të obliguar ta kalojmë atë”, ka thënë trajneri i Ludogoretsit, Petev.

Ballkani ka rreshtuar dy tituj të Kosovës dhe synon të tjerë. Synon edhe hapa para në Evropë, ndërsa të martën do të testohet seriozisht nga skuadra dominuese e futbollit bullgar.