Loriana Kuka nuk ia doli t’i afrohet zonës së medaljeve në Grand Slamin e xhudos në Abu Dabi. Loriana garoi të mërkurën në kategorinë deri 70 kilogramë dhe u ndal në luftën e dytë.
Fillimisht shënoi fitore të vështirë ndaj holandezes Sanne Vermeer. Nuk kishte hedhje, ndërsa lufta u vendos me dënime. Në kohën shtesë Vermmer mori dënimin e tretë.
Në xhiron e dytë, Loriana e kishte përballë austriaken Michaela Polleres. Lufta ishte e fortë dhe e barabartë. Në kohën shtesë, Polleres realizoi kundërsulm për fitore me Ippon. Polleres ishte bartësja e parë në kategori. Loriana në fakt ishte e barabartë me të, e në momente edhe më e mirë. Por austriakja realizoi hedhjen për fitore.
Loriana është në fazë testuese në kategorinë deri 70 kg. Nëse edhe në dy garat e ardhshme nuk shfaq vlerat në këtë kategori, atëherë me shumë gjasë do të kthehet në kategorinë deri 78 kg.
Ajo është më afër normës olimpike në kategorinë deri 78 kg. Por kishte pasur telashe në garat e fundit në këtë kategori dhe u vendos që për një periudhë të testohet në 70 kg. Deri më tani rezultatet nuk janë ato që synoheshin.