Skuadra e Llapit po synon ta mbrojë trofeun e Kupës së Kosovës në futboll. E për ta bërë këtë, fillimisht duhet ta tejkalojë kampionen në fuqi, Prishtinën, në gjysmëfinale. Në fakt, Llapi sezonin e shkuar pati eliminuar Prishtinën pikërisht në këtë fazë, përpara se ta mposhte Dukagjinin në finale për ta fituar trofeun e parë të Kupës së Kosovës në histori. Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se ekipi i tij synon ta eliminojë Prishtinën edhe këtë sezon për të arritur në finalen e tretë të kësaj gare në katër sezonet e fundit. Ndeshjen e parë gjysmëfinale, Llapi e luan të enjten. Është mysafir i Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe trajneri Batatina thotë se në këtë ndeshje synon rezultat të favorshëm përpara duelit të kthimit që do të luhet në Podujevë. Batatina ka pranuar se nuk do të jetë lehtë, por ka insistuar se ekipi i tij me meritë ka arritur deri këtu dhe sigurisht që e kërkon finalen.
“Është një ndeshje e vështirë, pasi përballen dy skuadra të forta. Natyrisht, të dy ekipet synojnë të avancojnë tutje në Kupë për të arritur synimet që kanë. Ne jemi shumë afër finales dhe sigurisht se duam të kalojmë në finalen e tretë në katër vjetët e fundit që do të ishte një sukses i madh. Megjithatë, dëshira është ta mbrojmë trofeun dhe do ta bëjmë të pamundurën për këtë sukses”, është shprehur Batatina. “Në ndeshjen e parë, synimi është të marrim një rezultat të favorshëm për ndeshjen e kthimit. Si ekip me meritë kemi ardhur deri këtu pasi kemi eliminuar skuadra të forta. Edhe këtë edicion do të luajmë me Prishtinën në serinë gjysmëfinale dhe synimi është që të avancojmë tutje”.
E synime për ta fituar këtë trofe ka edhe Prishtina, pasi mund ta shpëtojë sezonin pas dështimit për ta mbrojtur titullin. Prishtina është e pesta në Superligë me 35 pikë të mbledhura, gjashtë më pak se Llapi që renditet i katërti. Këto dy skuadra u takuan vikendin e shkuar në kuadër të xhiros së 27-të, ku fitoi Prishtina në kryeqytet me rezultatin 2:1. Trajneri i Prishtinës, Abdullah Ibrakoviq, tha se ekipi i tij do të futet për fitore, por pranoi se nuk do të jetë lehtë për shkak të mungesave të lojtarëve që i ka.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe kërkuese sepse na mungojnë disa lojtarë. Mirëpo, ne luajmë në stadiumin tonë dhe me përkrahjen e tifozëve shpresoj që ta fitojmë këtë ndeshje. Sigurisht se synimi është që ta fitojmë këtë trofe pasi kemi arritur deri këtu”, tha Ibrakoviq.
Të enjten në të njëjtën kohë, luhet edhe ndeshja tjetër gjysmëfinale, ajo ndërmjet Dritës dhe Ramiz Sadikut. Ky duel luhet në fushën me bari sintetik në qytetin e Gjilanit. Drita shihet favorite absolute përballë Ramiz Sadikut, që është ekipi i vetëm nga Liga e Parë që ka arritur deri në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Drita zë vendin e dytë në Superligë me 49 pikë, gjashtë më pak se Ballkani që është lider. Ndërsa, Ramiz Sadiku është i katërti në Grupin B të Ligës së Parë me 30 pikë të mbledhura, 13 më pak se Ferizaj që prin në tabelë. Ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Kosovës do të zhvillohen pas një jave.
E enjte (14:00)
Prishtina – Llapi
Drita – R. Sadiku