Liverpooli do të jetë pa dy sulmuesit kryesorë Mohamed Salah e Roberto Firmino, kur të martën mbrëma do ta presë Barcelonën në "Anfield Road", në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Skuadra angleze do të tentojë të rikthehet pas humbjes 3:0 në ndeshjen e parë javën e shkuar.
Sulmuesi egjiptian Salah u largua nga fusha me barrele në fitoren 3:2 të shtunën në Premier League ndaj Newcastle Unitedit, pasi pësoi lëndim në kokë dhe nuk është rikuperuar për sfidën e së martës. Ndërkohë braziliani Firmino ka lëndim muskulor dhe nuk luajti fare në ndeshjen ndaj Newcastlet.
"Të dy nuk janë në dispozicion për ndeshjen e së martës. Mo ka pësuar tronditje në kokë. Ai nuk do të lejohet të luajë. Ai ndihet mirë, por nuk është mjaftueshëm mirë nga pikëpamja mjekësore", ka thënë trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, në konferencën për media. "Situata është se kemi humbur 3:0 në ndeshjen e parë dhe nuk është një që e donim për ndeshjen e kthimit. Ne kemi një mundësi për t'u kualifikuar në raundin tjetër. Duhet të tentojmë të shfrytëzojmë atë. Por, dy prej sulmuesve më të mirë në botë nuk janë në dispozicion dhe ne duhet të shënojmë katër gola për të kaluar tutje. Nuk e bën jetën më të lehtë, por përderisa të kemi 11 lojtarë në fushë do të tentojmë"... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)