Braziliani Roberto Firmino planifikon të largohet nga Liverpooli pas tetë sezonesh në klub. Por trajneri, Juergen Klopp, thotë se do të ketë kohë për lamtumirë më vonë.
Sulmuesi 31-vjeçar i tha së fundmi Kloppit se nuk do të jetë pjesë e Liverpoolit pas këtij edicioni, ndërsa i premtoi se është plotësisht i fokusuar në shtytjen e ekipit për një përfundim të fuqishëm.
“Ai është këtu dhe plotësisht i përkushtuar, si mund ta imagjinojnë të gjithë. Dhe kjo është gjithçka që duhet të dimë”, tha Klopp të premten në një konferencë për shtyp. “Nuk ka kohë për një lamtumirë apo çfarëdo në këtë moment, ka kohë të mjaftueshme për këtë më vonë gjatë sezonit”.
Liverpooli mund të afrohet me synimin për të përfunduar në top-katërshe të Premier Leagues, kur të vizitojë Bournemouthin e vendit të fundit në tabelë, të shtunën. Liverpooli ka regjistruar katër fitore në serinë aktuale pa humbje prej pesë ndeshjesh në ligë dhe është ngjitur në vendin e pestë në tabelë, me vetëm tri pikë prapa Tottenhamit.
Firmino vendosi rezultatin final me golin që e shënoi në fitoren e thellë të Liverpoolit 7:0 ndaj Manchester Unitedit në stadiumin “Anfield Road”, të dielën e kaluar.
“Më pëlqeu loja e tij dhe ritmi që e pati kur hyri në lojë kundër Unitedit. Roberto është një lojtar fantastik dhe sulmues që çdo ekip dëshiron ta ketë në radhët e veta”, ka thënë Klopp. “Megjithatë ky është vendimi i tij për t’u larguar dhe ne duhet ta respektojmë, pavarësisht se tentuam ta bindim për ta rinovuar kontratën”.
Reprezentuesi i Brazilit ka shënuar 108 gola në më shumë se 350 paraqitje në të gjitha garat për Liverpoolin dhe ishte pjesë e treshes shkatërruese sulmuese të ekipit anglez, së bashku me senegalezin Sadio Mane dhe egjiptianin Mohamed Salah. Mane u largua verën e kaluar nga Liverpooli për t'u bashkuar me Bayern Munichun, ndërsa Salah është ende në klub dhe golashënuesi më i mirë i Liverpoolit.
“Sadio, Bobby dhe Mo ishin për një kohë të gjatë një nga treshet më të mira në sulm në futbollin botëror”, tha Klopp. “Thjesht ishin të pandalshëm dhe unë jam krenar që isha trajner i kësaj treshe”.
Firmino ndihmoi Liverpoolin të fitonte trofeun e Ligës së Kampionëve në edicionin 2018/19, si dhe titullin e kampionit në Premier League një edicion më vonë. Firminos i është dashur të konkurrojë për të luajtur titullar këtë sezon me sulmuesit e rinj të Liverpoolit, përfshirë Cody Gakpon dhe Darwin Nunezin. Klopp pranoi se ishte “pak” i befasuar me vendimin e Firminos për t’u larguar, por shtoi se është “plotësisht normale në këtë lloj marrëdhënie të gjatë që kemi”.
Firmino iu bashkua Liverpoolit në verën e vitit 2015 nga Hoffenheimi për 41 milionë euro, ndërsa në futbollin evropian luan prej fillimit të vitit 2011. Ai kaloi mbi katër edicione te Hoffenheimi, ekip të cilit iu bashkua nga skuadra pak e njohur braziliane, Tombense, përpara se të bënte lëvizjen e madhe në karrierë për te Liverpooli. Firmino ka edhe 55 paraqitje dhe 17 gola të shënuar me Përfaqësuesen e Brazilit.