Futbollisti i Kosovës, Lirim Kastrati, ka arritur marrëveshje për të ndërruar klub. Megjithatë ai do të mbetet në Kroaci. Futbollisti ka arritur marrëveshje për kalim te Dinamo e Zagrebit, duke u larguar nga Lokomotiva.
Sulmuesi ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me klubin e ri, raporton KTV.
21-vjeçari do t’i bashkohet klubit të ri gjatë verës.
“Jam shumë i lumtur që kam nënshkruar për një klub të madh siç është Dinamo Zagrebi. Kam dashur që pikërisht sot në 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës të nënshkruaj dhe besoj se e kam bërë zgjedhjen e duhur. Kam pasur edhe shumë oferta të tjera, por vendosëm për Dinamon. Shpresoj që të vazhdoj me paraqitje të mira te Lokomotiva e në verë do të bashkohem me Dinamon me të cilin klub kam nënshkruar për pesë vjet. I falënderoj të gjithë që më kanë mbështetur deri këtu, pasi ka qenë një rrugë me shumë sfida”, ka thënë Kastrati për Sportin në KTV.
Kastrati në sezonin aktual ka 24 ndeshje në të gjitha garat me Lokomotivën. Ka realizuar tetë gola e ka asistuar katër herë.