Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se takimet me përfaqësues të Ushtrisë së Serbisë janë rutinore dhe se komunikimi direkt është thelbësor për sigurinë në Kosovë e rajon.
Në një përgjigje për KOHËN, një ditë pasi zyrtarë të KFOR-it pritën në Prishtinë përfaqësues të Ushtrisë së Serbisë, ky mision i ka cilësuar rutinore takimet me palën serbe.
KFOR-i ka thënë se takimet synojnë komunikim më efektiv e se takime të tilla janë mbajtur në vende të ndryshme, përfshirë në Shtabin e KFOR-it.
“Një takim i rregullt mes përfaqësuesve të Komisionit të Përbashkët të Zbatimit (JIC) të KFOR-it dhe homologëve të tyre nga Forcat e Armatosura Serbe (SAF) u mbajt në Kampin “Film City” në Prishtinë më 26 nëntor 2026. Është pjesë e aktiviteteve të kryera nga JIC, bazuar në Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake (MTA). Këto marrëveshje afatgjata ofrojnë kornizë të vendosur për ndërlidhje, komunikim, bashkëpunim dhe koordinim midis KFOR-it dhe Forcave të Armatosura Serbe, veçanërisht për çështjet që kanë të bëjnë me Vijën Kufitare Administrative (ABL) dhe nevojën për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet lokale. Takime të tilla janë rutinë. Ato synojnë të sigurojnë ndërgjegjësim të ndërsjellë dhe komunikim në kohë dhe efektiv. Gjatë viteve, këto takime janë mbajtur në vende të ndryshme, përfshirë në Shtabin e KFOR-it”, thuhet në përgjigje.
Sipas Misionit të NATO-s, komunikimi bëhet për të zvogëluar rreziqet për tensione dhe për sigurinë në Kosovë e në rajon.
“KFOR-i mban komunikim të rregullt, transparent dhe të drejtpërdrejtë me të gjithë homologët e tij, duke përfshirë institucionet në Kosovë, organizatat e sigurisë në Kosovë, Forcat e Armatosura Serbe dhe organizatat ndërkombëtare. Kjo është thelbësore për të parandaluar keqkuptimet dhe për të zvogëluar rreziqet për tensione, si dhe për të adresuar shqetësimet e mundshme të sigurisë, dhe kontribuon në sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe në stabilitetin rajonal”, thuhet në përgjigje.
Një ditë më parë, KFOR-i njoftoi për një takim në Prishtinë me përfaqësues të Ushtrisë së Serbisë. Njoftimi nxiti reagime e kritika.
KOHA e ka pyetur KFOR-in lidhur me arsyet dhe qëllimet e takimit dhe temat e diskutuara, se sa të shpeshta kanë qenë takimet e tilla në Kosovë si dhe nëse institucionet e Kosovës kanë qenë të informuara paraprakisht. Në pyetjen e fundit s'është përgjigjur.