Për rolin e tij në filmin “Shame and Money”, aktori Astrit Kabashi ka marrë çmimin “Bekim Fehmiu” të themeluar sivjet në Beograd në kuadër të Festivalit të Filmit Autorial, në vitin kur Kosova një çmim me emrin e tij tashmë e ka zhbërë. Për laureatin vendos Uliks Fehmiu, aktori dhe i biri i Bekim Fehmiut. “Peshë edhe më të madhe i jep emri i Bekim Fehmiut dhe fakti që sivjet ndahet për herë të parë. Kjo më bën shumë krenar dhe, gjithashtu, më bën të ndihem shumë i vlerësuar (në Kosovë ende nuk e kam marrë). Filmi është pritur jashtëzakonisht mirë...”, ka thënë Kabashi për KOHËN, i cili ka marrë pjesë në ceremoni. Serbia e themeloi këtë çmim në vitin kur Kosova e zhbëri
Aktori Astrit Kabashi është laureati i parë i çmimit “Bekim Fehmiu” për aktorin më të mirë të ndarë nga Festivali i Filmit Autorial në Beograd. Kabashi është vlerësuar për rolin e tij në filmin “Shame and Money” të Visar Morinës që ka marrë pjesë në edicionin e 32-të që është përmbyllur të premten mbrëma me ndarjen e çmimeve.
Sivjet për herë të parë Festivali e ka themeluar dhe ndarë Çmim dhe sipas raportimeve paraprake të mediave në serbi, për laureatin vendos Uliks Fehmiu, aktori dhe i biri i Bekim Fehmiut, ashtu njofton edhe ueb-faqja e Festivalit.
Në anën tjetër Kosova sivjet e ka zhbërë emrin e Bekim Fehmiut nga Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore në Kinematografi, i themeluar para më shumë se një dekade.
Pak para se të pranojë Çmimin, sonte në ceremoninë e mbajtur në Beograd, aktori Astrit Kabashi i ka thënë KOHËS se për të ky Çmim ka peshë shumë të madhe.
“Peshë edhe më të madhe i jep emri i Bekim Fehmiut dhe fakti që sivjet ndahet për herë të parë. Kjo më bën shumë krenar dhe, gjithashtu, më bën të ndihem shumë i vlerësuar (në Kosovë ende nuk e kam marrë). Filmi është pritur jashtëzakonisht mirë. Kjo është hera e dytë që një film nga Kosova merr pjesë. Para disa vjetësh, i njëjti autor, pra Visar Morina, ka qenë pjesëmarrës me filmin “Exil” dhe ka fituar çmimin për skenarin më të mirë!”, ka thënë Kabashi. Ka treguar se nuk është ndier mirë kur ka kuptuar se në Kosovë ia kanë hequr emrin çmimit “Bekim Fehmiu” për kinematografi e po ashtu se ia kanë hequr emrin çmimit “Katarina Josipi” për dramën më të mirë dhe çmimit “Azem Shkreli” për letërsi.
“Nuk e di as kush e ka vendosur, por emrat e tyre nuk zvetënohen nëse ua heqim nga çmimet, zvogëlohen ata që e kanë marrë këtë vendim. Është e vërtetë që këtë çmim nuk e kam marrë kurrë në Kosovë, sidoqoftë, unë po e marr sot çmimin me emrin e aktorit tonë të madh, Bekim Fehmiut, i cili ka inspiruar aktorë të rinj dhe vazhdon t’i frymëzojë gjeneratat në vazhdim. Kjo më bën shumë krenar!”, ka thënë Kabashi.
Çmimi “Bekim Fehmiu” ndahet në kuadër të programit “Jugosfera”, i cili po ashtu është themeluar sivjet. Në këtë kategori kishte garuar edhe “Shame and Money” bashkë me dhjetë filma të tjerë, shtatë të metrazhit të gjatë dhe tre të shkurtër. Emërtimi “Jugosfera” është huazuar nga një koncept që gazetari dhe analisti britanik Tim Judah e prezantoi në vitin 2009, duke iu referuar mundësisë së rivendosjes së lidhjeve kulturore, shoqërore dhe të natyrave të tjera ndërmjet qytetarëve të shteteve të krijuara pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Aty garojnë filma nga vendet e ish-Jugosllavisë.
Kosova kapitullin e çmimit “Bekim Fehmiu”, i cili u nda për herë të parë para 13 vjetësh, e ka përmbyllur sivjet kur ka vendosur që asnjëri prej çmimeve vjetore në art dhe kulturë të mos mbajë emra personalitetesh, nëpërmjet Rregullores për Çmimet vjetore të artit dhe kulturës e miratuar më 2025. Rregullorja e re kishte hyrë në fuqi nëpërmjet miratimit nga ish-ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Konkursi i sivjetmë qe hapur bazuar në këtë Rregullore, e cila përcakton që çmimet vjetore të ndahen më 10 qershor. Më shumë se gjashtë muaj pas shkeljes së afatit, ende nuk ka çmime. Tok me emrin e Bekim Fehmiut, janë hequr edhe emrat e personaliteteve të tjera që mbanin çmimet nëpër kategori.
Kosova do ta themelonte Çmimin kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” fill pas vdekjes së tij e as kjo nuk kaloi pa zhurmë. Çmimi do të rithemelohej më 2013 me arsyetimin se ministri pasues i Kulturës s’ka gjetur vendim për të, u nda për herë të parë atë vit, në ditën e parë të qershorit që përkon me ditëlindjen e aktorit. Më të u nderua post-mortem aktori i madh, Feruk Begolli.
Por pos çmimit, Serbia e ka çuar në një tjetër nivel nderimin për aktorin Fehmiu. Prej këtij muaji, “Kinoteka Jugosllave” i ka bërë një vend të përhershëm trashëgimisë së tij. Me të shënon 90-vjetorin e lindjes së Fehmiut (1936-2010). Inaugurimin e ka bërë javën e kaluar edhe nëpërmjet dy ekspozitave, shfaqjes së filmave ku ka luajtur aktori i madh. E pranishme ka qenë edhe e veja e Fehmiut, aktorja Branka Petriq.
Në ditën e parë të prillit, KOHA e kishte pyetur Ministrinë e Kulturës se përse janë rikonceptuar çmimet në formatin e tanishëm, përse është humbur tradita e emrave që kanë bartur çmimet dhe po ashtu përse te Çmimi për dramë origjinale shqipe s’do të ketë vend të dytë e të tretë. Për 239 ditë nuk është përgjigjur.
Çmimi kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” kishte një trofe ngjyrë ari me portretin e aktorit të madh. Ishte vepër e skulptorit Luan Mulliqi dhe do të mbetet në sirtarët e laureatëve Faruk Begolli, Isë Qosja. Xhevat Qorraj, Bislim Muçaj, Besim Sahatçiu, Azem Shkreli, Ekrem Kryeziu, Afrim Spahiu, Menduh Nushi. Tok me rrëfimin se Kosova e kishte dikur një çmim të tillë. Dhe s’e ka më.
Në sirtar kanë mbetur edhe premtimet që Kosova ta nderojë Bekim Fehmiun, aktorin i cili la amanet që hiri i tij të derdhej në Lumbardhin e Prizrenit.
Ka qenë dita e parë e qershorit të vitit 2021, kur Ministria e Kulturës do të organizonte një ngjarje madhore. Ceremonia e dhënies së çmimit kombëtar për vepër jetësore për kinematografi “Bekim Fehmiu” do të zhvendosej nga kabineti i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, në “Kino Armatë”. Aty udhëheqësit institucionalë, në krye me kryeministrin Albin Kurti, kishin treguar se shteti do të kthejë kokën nga krijimtaria e aktorit të pashoq në këto anë. Në 85-vjetorin e lindjes së aktorit, do të premtonte “Qeveria e Kosovës së bashku me institucionet e kulturës me kujdes do të kurojnë një program vjetor dhe të përhershëm për nder të Bekim Fehmiut”.
Do të merrej vendim për emërimin e grupit punues për hartimin e planit shtetëror për nderimin, mbrojtjen, dokumentimin dhe promovimin e veprimtarisë së aktorit kosovar me famë botërore. Në fund të vitit 2021, grupi punues do t’i propozonte Ministrisë së Kulturës që të themelohej kinoteka e Kosovës, “Bekim Fehmiu”, pjesë e saj të jetë Pavijoni i Bekim Fehmiut, një festival ndërkombëtar studentor i filmit dhe teatrit “Bekim Fehmiu”, përkthimi në anglisht i vëllimeve autobiografike “Shkëlqim dhe tmerr” e po ashtu monografisë “Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës”, me autor gazetarin veteran Fahri Musliu. Më pas propozohej edhe një fondacion me emër të aktorit që do të mbështeste edukimin e studentëve jashtë vendit, si dhe shfaqja e filmave ku luan Fehmiu në televizionin publik, përfshirë “Odisenë”.