Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Dështon seanca gjyqësore, ftesa për ish-ministren Hajdari në adresë të “gabuar”

Rozeta Hajdari

Foto: Driton Paçarada

Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj ish-ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe tre të tjerëve të akuzuar për aferën e rezervave shtetërore. Në seancën ku ishte paraparë të jepeshin fjalët hyrëse, vetëm i akuzuari Hafiz Gara ka qenë prezent

Ftesa për t’u paraqitur në seancë gjyqësore ish-ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, i shkoi në adresë të vjetër.

E akuzuar në rastin e rezervave shtetërore, Hajdari nuk është paraqitur në seancë, pasi Gjykata si adresë të saj e kishte vendin e mëparshëm të punës, atë të Kuvendit të Kosovës.

“Mungon e akuzuara Rozeta Hajdari, për të cilën Gjykata i ka dërguar ftesën në adresën të cilën i ka ofruar gjykatës. Në fletë-kthesën e gjykatës është konstatuar se e njëjta nuk punon në atë institucion. Po ashtu, e njëjta është kontaktuar nëpërmjet telefonit, por ka qenë e paqasshme”, ka njoftuar Avni Syla, kryetar i Trupit Gjykues.

Përveç Hajdarit, në sallë munguan edhe dy të akuzuarit e tjerë, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi.

“Gjykata ka pranuar në email më 20.11.2026, është kërkuar që të shtyhet seanca e sotme për shkak se i akuzuari Irfan do të jetë në një udhëtim jashtë vendit. I njëjti ka bashkëngjitur dëshmitë e udhëtimit, konferencës që do të mbahet. I akuzuari Ridvan Muharremi ka njoftuar se është operuar, ka pas një operim kirurgjik dhe i ka bashkëngjitur të gjitha dëshmitë mjekësore”, ka bërë të ditur Syla.

Për dallim nga Hajdari, Lipovica dhe Muharremi, në sallë i pranishëm ishte i akuzuari Hafiz Gara. Kësisoj, në mungesë kushtesh, seanca e shqyrtimit gjyqësor dështoi.

“Gjykata nuk ka kushte për mbajtjen e kësaj seancë gjyqësore, merr aktvendim seanca e sotme gjyqësore nuk do të mbahet dhe e njëjta do të shtyhet”, është shprehur gjyqtari Syla.

Sipas aktakuzës, Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica e Hafiz Gara dyshohen se në bashkëkryerje i kanë keqpërdorur me qëllim detyrat zyrtare gjatë muajve shkurt e mars të 2022-s, me qëllim që t’u krijojnë fitim pasuror personave të tjerë, duke i shkaktuar buxhetit dëm prej rreth 3 milionë eurove.

E i akuzuari i katërt, Ridvan Muharremi, akuzohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës.

Në aktakuzë theksohet se buxheti i shtetit është dëmtuar për rreth 3 milionë euro si pasojë e veprimeve të të akuzuarve me sasi të vajit, miellit e sheqerit, me të cilat nuk është furnizuar rezerva shtetërore.

Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen gjithashtu se i kishin zbuluar Muharremit informacione për vendndodhjen e deponimit të grurit si mall i rezervës shtetërore.