Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vajzat shërbejnë, djemtë presin - rolet tradicionale kultivohen që në kopsht

Vajzat shërbejnë, djemtë presin - rolet tradicionale kultivohen që në kopsht

Aktivitetet e organizuara në disa kopshte të fëmijëve në Kosovë për festën e 28 Nëntorit, kanë përfshirë role të ndara mes fëmijëve në bazë të gjinisë. Kjo praktikë po kritikohet nga logopedët, të cilët vlerësojnë se përmes aktiviteteve të tilla, stereotipet gjinore kultivohen që në fëmijërinë e hershme. Në njërin prej kopshteve thonë se aktiviteti është organizuar me pëlqimin e prindërve

Vajzat duke shërbyer, gatuar e përkujdesur për djepin, ndërsa djemtë të ulur, duke pritur t’u shërbehet çaji. Kështu janë paraqitur rolet e fëmijëve në disa aktivitete të organizuara për festën e 28 Nëntorit në disa kopshte të fëmijëve në vend.

Kjo ndarje e roleve sipas gjinisë, sipas logopedëve, është një praktikë që përforcon stereotipet gjinore dhe përcjell mesazhe të gabuara te fëmijët që në moshë të hershme.

Logopedja Erdina Hoti thotë se aktivitetet e tilla, në vend që të promovojnë barazinë dhe mundësitë e barabarta, i orientojnë fëmijët drejt roleve të paracaktuara nga shoqëria.

“Në Kosovë edhe në Shqipëri, me shumë përjashtime të vogla, kopshtet kanë vendosur që aktivitetet e 28 Nëntorit dhe traditat e shqiptarëve me qenë të ndara në role gjinore. Vajzat kanë pas rolin e shërbyeses, kanë pasur me gatu, me tund djepin, me shku nuse, e meshkujt kanë pasur me luajt mashkullin duke e prit çajin e nxehtë. Çfarë po mësojmë ne këtu? Ne jemi duke i mësuar fëmijët se ju jeni të destinuara për punë të caktuara, kopshti duhet me qenë hapësira ku fëmijët mësojnë çka munden me u bë, jo për çfarë janë të destinuara sepse nuk janë”, ka theksuar Hoti.

Sipas Hotit, ndikimi i këtyre stereotipeve nuk mbetet vetëm te mënyra se si fëmijët i kuptojnë rolet shoqërore.

Ajo thekson se ato mund të ndikojnë edhe në zhvillimin e vetëbesimit, veçanërisht te vajzat.

“Mosha kur fëmijët i përvetësojnë dallimet gjinore nuk ekziston, nuk ka një moshë të caktuar, jemi pikërisht ne të rriturit që i adresojmë ato te fëmijët qysh në lindje, qysh kur fillojmë me i nda lodrat, ngjyrat. E pikërisht shkaku i këtyre imponimeve që vijnë nga të rriturit, hulumtimet shkencore specifikisht për vajzat e moshës katër deri në pesë vjet, tregojnë rënie të nivelit të vetëbesimit dhe ndjesinë sikur janë më pak në shoqëri”.

Ndërkaq, nga njëri prej kopshteve ku janë publikuar pamjet e këtij aktiviteti, thonë se organizimi është bërë me pëlqimin paraprak të prindërve.

“Ky është një aktivitet që bëhet për festa të caktuara, për çdo veprim që ne e bëjmë, ne e marrim pëlqimin paraprak prej prindërve, kështu që për më shumë nuk kam asnjë koment shtesë për me e dhënë”, ka thënë përfaqësuesja e kopshtit.

Koha ka kërkuar sqarim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nëse këto organizime bëhen me lejen e tyre, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fund të muajit tetor pati deklaruar se mendësia patriarkale në shoqëri, vazhdon ta konsiderojë gruan si pronë dhe ta shohë pavarësinë e saj si mosbindje ndaj autoritetit mashkullor. Ai pati theksuar se ndryshimi i kësaj mendësie duhet të nisë që nga edukimi i fëmijëve, duke paralajmëruar rishikimin e mëtejshëm të kurrikulave arsimore në të gjitha nivelet.

Se ndarja tradicionale e roleve vazhdon të reflektohet edhe në shoqërinë kosovare, e tregojnë edhe të dhënat për ndarjen e punëve të papaguara në familje.

Sipas një studimi të Institutit “Musine Kokalari”, gratë në Kosovë shpenzojnë mesatarisht 6.5 orë në ditë duke kryer punë të papaguara, ndërsa burrat 3.5 orë.

Rezana Bozhlani