Sport

Lillardi shënon 42 pikë në fitoren e Portlandit

Basketbollisti Damian Lillard shënoi 42 pikë në ndeshjen e dytë rresht. Portland Trail Blazers falë kontributit të tij fitoi ndaj skuadrës Memphis Grizzlies me rezultatin 122:112. Lillard, i cili shtoi edhe 10 asistime e tetë kërcime, tani ka 49 ndeshje në NBA me 40 e më shumë pikë.

Ai barazohet me Shaquille O’Nealin në vendin e 19-të në listën e lojtarëve me këtë të arritur, në histori të ligës NBA. Boston Celtics në ndeshjen tjetër mposhti Brooklyn Netsin, që vazhdon të jetë pa të lënduarin Kevin Durant. Jayson Tatum realizoi 31 pikë, ndërsa Jaylen Brown kontribuoi me 26 pikë.

Celtics fitoi 139:96. Kyrie Irving pati 20 pikë, katër kërcime e katër asistime për Netsin, që i ka humbur 10 ndeshjet e fundit nga Bostoni. Philadelphia 76ers iu revanshua Orlando Magicut për disfatën e të hënës dhe fitoi 105:94. Joel Embiid realizoi 28 pikë në fitore, kurse James Harden shtoi 26 pikë të tjera.

Minnesota Timberwolves fitoi ndaj Golden State Warriorsit 119:114 në kohën shtesë. Fitore në ndeshjet e fundit shënuan edhe Houston Rockets, Sacramento Kings, Utah Jazz dhe Atlanta Hawks. Ndeshja mes Detroit Pistons kundër Washington Wizardsit u shty për shkak se Pistonsat kishin mbetur në Dallas, për shkak të një stuhie.