Joel Embiid ka shënuar 52 pikë dhe ka shtuar 13 kërcime, gjashtë asistime dhe dy bllokada në fitoren e Philadelphia 76ers përballë Boston Celtics, 103:101. Ishte ndeshja e pestë që Embiid shënon 50 e më shumë pikë në karrierë. 29-vjeçari me paraqitjen e ndeshjes së fundit “e ka mbyllur çështjen e lojtarit më të vlefshëm për vitin 2023”, ka thënë trajneri i Phillyt, Doc Rivers.
Kjo humbje ka bërë që Celtics ta humbë shpresën për ta siguruar vendin e parë në Konferencën e Lindjes. Tani Celtics duhet t’i fitojë tri ndeshjet e fundit të sezonit të rregullt, por duhet të shpresojë që Milwaukee Bucks t’i humbë që të tria këto ballafaqime për ta marrë vendin e parë në tabelë, në mënyrë që ta ketë avantazhin në plejof. James Harden shtoi 20 pikë dhe 10 asistime në 40 minuta për Philadelphian.
Giannis Antetokounmpo shënoi “triple-double” në fitoren e Milwaukeet kundër Washington Wizardsit, 140:128. Antetokounmpo mbylli ndeshjen me 28 pikë, 11 kërcime dhe 10 asistime. Bucksit i duhet vetëm një fitore nga tri ndeshje.
Në Konferencën e Perëndimit, Denver Nuggets e humbi mundësinë për të dalë në vendin e parë pasi u mposht 124:103 nga Houston Rockets. Jalen Green me 32 pikë udhëhoqi Houstonin në fitore, skuadra që renditet në vendin e fundit të Konferencës së Perëndimit. Për dy vendet që dërgojnë direkt në plejof në këtë konferencë do të luftojnë Golden State Warriors, Los Angeles Clippers dhe Los Angeles Lakers. Golden State Warriors kaloi në vendin e pestë në renditje pas fitores 136:125 ndaj Oklahoma City Thunder, ndërsa Steph Curry shënoi 34 pikë dhe Jordan Poole shtoi 30 të tjera. Los Angeles Lakers ndërkohë siguroi fitore ndaj Utah Jazz në vazhdime, 135:133. LeBron James shënoi 37 pikë.