Sport

Lillard realizoi 71 pikë në NBA dhe më pas iu nënshtrua testit të dopingut

Damian Lillard

Festimi rreth performancës rekorde të Damian Lillardit ishte jetëshkurtër.

Lillard shënoi rekord të karrierës prej 71 pikëve dhe barazoi rekordin për më së shumti pikë në NBA këtë sezon. Ai pati 13 trepikësha të realizuar në fitoren 131:114 të Portland Trail Blazers ndaj Houston Rockets, të hënën.

“Më shijojnë ato momente në lojë kur thjesht ndjek njerëzit”, tha Lillard, “kur jam në ritmin e sulmit”.

Por menjëherë pasi kamerat u fikën dhe turma u drejtua drejt daljeve, Lillard u thirr për një test dopingu. Rezulton se lojtari që shtatë herë u paraqit në “All-Star”, që nuk ka frikë të gjuajë për tri pikë nga gjysma e fushës, ka frikë nga gjilpërat.

“E di që kam shumë tatuazhe, por kur je duke dhënë gjak është ndryshe nga tatuazhet”, pranoi ai.

Lillard u testua në natën kur barazoi rekordin e Donovan Mitchellit të Clevelandit për më së shumti pikë në një ndeshje këtë sezon. Mitchell gjithashtu shënoi 71 pikë në fitoren ndaj Chicagos në fillim të muajit janar.

13 trepikëshat e tij ishin një më pak se rekordi i NBA-së i vendosur nga Klay Thompson i Golden Statet në vitin 2018. Shoku i skuadrës së Thompsonit në Warriors, Stephen Curry (2016) dhe Zach LaVine i Chicagos (2019) gjithashtu kanë realizuar nga 13 herë në tentimet për tri pikë.

Lillard theu rekordin e tij personal prej 61 pikësh, të cilën e kishte arritur dy herë. Ndërsa theu edhe rekordin personal të trepikëshave, pasi më herët kishte realizuar 11 herë. I njohur për përulësinë e tij, Lillard nuk ishte i sigurt se si ta shënonte këtë arritje.

“Mendoj se çdo lojtar i pëlqen momentet kur je i nxehtë, je në gjendje sulmi, ndihesh mirë”, tha Lillard. “Por janë gjërat me të cilat unë luftoj më pas, si kur dola nga fusha, a duhej të isha tepër i emocionuar, apo çfarë?”

Në minutat e fundit të lojës, turma në palestrën “Moda Center” ishte në këmbë, telefonat regjistronin momentin, ndërsa brohorisnin “MVP! MVP!”.

“Me të vërtetë, me të vërtetë ishte një paraqitje mjeshtërore e tij”, tha trajneri i Blazersave, Chauncey Billups. “Ishte një vepër arti. Kjo ishte e pabesueshme.”

Edhe Mitchell e vuri re paraqitjen fantastike të Lillardit, i cili barazoi rekordin e tij të pikëve.

“Mamaja ime më telefonoi dhe më tha se Damieni ka barazuar rekordin tim të pikëve dhe tani më duhet të realizoj 72 pikë”, ka reaguar Mitchell nëpërmjet “Twitterit”.

Lillard u largua nga loja me 44 sekonda të mbetura, në nivel me Mitchellin, Elgin Baylorin (1960) dhe David Robinsonin (1994) për pikë të shënuara në një ndeshje në NBA. Wilt Chamberlain mban rekordin e ligës me 100 pikë të shënuara për Philadephian kundër New Yorkut më 2 mars të vitit 1962.

Lillard shënoi 41 pikë dhe tetë trepikësha në pjesën e parë. Në pjesën e parë, Lillard gjithmonë ka pasur shumë pikë. Madje, 50 i kishte në një ndeshje në fillim të sezonit.

Në fund ai realizoi 22 nga 38 tentimet nga loja dhe realizoi 13 nga 22 përpjekjet e tij për tri pikë. Ai ishte gjithashtu i saktë në 14 gjuajtjet e lira për ta arritur shifrën e 71 pikëve në ndeshje. Jerami Grant shtoi 13 pikë për Blazers, të cilët kishin epërsi deri në 23 pikë në ndeshje.

“Nuk është se ne nuk bëmë përpjekje, ai bëri disa gjuajtje vërtet të vështira”, tha trajneri i Houstonit, Stephen Silas. “Por ne kemi nevojë që të gjithë të bëjmë përpjekje në mbrojtje”.