Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lewandowski po kthehet në një moment të rëndësishëm te Bayerni

Robert Lewandowski është ambicioz për ta thyer rekordin e vendosur shumë vjet më parë nga legjenda Gerd Muller.

Muller tash e një kohë të gjatë mban rekordin si golashënuesi më i mirë i kampionatit gjerman për një edicion të vetëm.

Superylli i Bayern Munichut, Lewandowski, pritet të rikthehet në aksion në fundjavë, pas sanimit të një lëndimi. Rikthimi i polakut është i mirëseardhur me synim për ta arritur rekordin e Mullerit, por edhe për ta festuar titullin e kampionit me Bayernin. Bayerni të shtunën udhëton te skuadra e Mainzit, në duelin e xhiros së 31-të që zhvillohet nga ora 15:30.

Skuadra bavareze ka 71 pikë në krye të tabelës, dhjetë më shumë se Leipzigu i vendit të dytë.

Lewandowski ka shënuar 35 gola në 25 paraqitje në elitën e futbollit gjerman këtë edicion. Megjithatë, ai u desh të pushonte për një muaj për shkak të lëndimit të ligamentit të gjurit, derisa ishte në detyrë me Përfaqësuesen e Polonisë, në muajin mars.

Edhe Lojtarët e Bayernit synojnë më shumë rekorde Futboll Lojtarët e Bayernit synojnë më shumë rekorde

Pasi e përfundoi programin e stërvitjeve individuale, 32-vjeçari duket në formë të përkryer. I ka kryer të gjitha seancat stërvitore që prej ditës së mërkurë me pjesën tjetër të skuadrës.

Ai e ka mundësinë që individualisht të hyjë në histori të Bundesligës, kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund të edicionit. Ikona e Bayernit, Muller, në një edicion të vetëm kishte shënuar 40 gola. Atë shifër e kishte arritur në edicionin 1971/72.

“Nuk e di nëse do t’ia arrijë një gjëje të tillë”, ka thënë ish-futbollisti i Borussia Dortmundit, Lewandowski.

“Por unë shpresoj që kur të jem në fushë, mund të jem në nivel si gjithmonë që nga minuta e parë, duke e luajtur menjëherë futbollin më të mirë dhe duke shënuar gola”, ka deklaruar Lewandowski për faqen zyrtare të Bundesligës.

Fitorja në xhiron e 31-të në Bundesligë do t’i jepte Bayern Munichut titullin e nëntë rresht në Gjermani.

“Ai ka bërë stërvitje të mirë të mërkurën. Është i lumtur që është kthyer më herët dhe është absolutisht opsion për të shtunën”, ka thënë Flick, skuadra e të cilit mposhti Bayer Leverkusenin 2:0 të martën, duke iu afruar edhe më shumë trofeut “Meisterschale”.

Edhe Lewandowski kthehet në Muenchen me synim për ta mposhtur Bayernin Sport Lewandowski kthehet në Muenchen me synim për ta mposhtur Bayernin

“I kam thënë ekipit para ndeshjes se mund të bëjmë hap të madh drejt qëllimit tonë dhe ia dolëm. Tani kemi ndeshje në Mainz të shtunën, duam ta fitojmë atë nëse është e mundur dhe më pas mund të na përgëzoni”, ka nënvizuar Flick.

Në mes shumë problemeve Hansi Flick ditë më parë tha se dëshiron të largohet nga Bayern Munichu në fund të sezonit. Ky lajm erdhi menjëherë pasi bavarezët u eliminuan në çerekfinale nga Paris Saint-Germaini në Ligën e Kampionëve.

Për 56-vjeçarin është thënë se është favorit që ta zëvendësojë Joachim Lowin si selektor i Përfaqësueses së Gjermanisë.

Flick për dy vjet sa ishte në krye të Bayern Munichut e udhëhoqi skuadrën drejt titullit të Bundesligës, Kupës së Gjermanisë, Ligës së Kampionëve, Superkupës së Gjermanisë, Superkupës së UEFA-s dhe Kupës së Botës për Klube. E mori drejtimin e ekipit nga Niko Kovaq në nëntor të vitit 2019.

Pavarësisht trofeve të fituar, marrëdhënia e Flickut me drejtorin sportiv Hasan Salihamixhiq për disa muaj nuk ka qenë e mirë. Shkak ishte mospajtimi për politikën e transferimeve dhe planet për ndërtimin e skuadrës.

Edhe Sulmuesit e Bundesligës synojnë “topin” e lakmuar të Lewandowskit Sport Sulmuesit e Bundesligës synojnë “topin” e lakmuar të Lewandowskit

Kulmi kishte mbërritur kur Flick i kishte thënë Salihamixhiqit që “ta mbyllë gojën”. Kjo kishte ndodhur në autobusin e ekipit para duelit me Wolfsburgun.

Zëvendësues i Hansi Flickut në krye të Bayernit mund të jetë Julian Nagelsmann, trajneri aktual i RB Leipzigut, edhe pse ai ka kontratë me klubin deri në vitin 2023.