Largimi i Robert Lewandowskit nga Bundesliga është sigurisht një lajm i mirë për pjesën tjetër të sulmuesve të ligës. “Topi” i lakmuar - një çmim në formë artilerie që i jepet golashënuesit kryesor në divizionin më të lartë të Gjermanisë çdo vit - është rikthyer për t'u rrëmbyer.
Lewandowski kishte vendosur një kontroll të fortë mbi trofeun duke e fituar atë për pesë vjetët e fundit. Ylli polak shënoi 35 gola në ligë për Bayern Muenchenin përpara se të zgjidhte një kalim te Barcelona këtë verë.
Ai shënoi 41 gola sezonin më parë, duke thyer rekordin e vjetër të Gerd Muellerit në ligë. Gjithsej, Lewandowski e fitoi topin shtatë herë pasi përfundoi golashënuesi më i mirë në vitin 2014, kur ishte me Borussia Dortmundin dhe në vitin 2016. Erling Haalandi mund të kishte sfiduar për kurorën e Lewandowskit, por norvegjezi po ashtu është larguar – duke iu bashkuar Manchester Cityt për ta ndihmuar skuadrën e Pep Guardiolas teksa përpiqet të fitojë përfundimisht Ligën e Kampionëve.
Por kjo lë një mori lojtarësh që potencialisht mund të “gjuajnë rrugën e tyre drejt topit” këtë sezon – duke përfshirë sulmuesin gjerman, Timo Werner, i cili u kthye në Leipzig nga Chelsea këtë javë dhe Anthony Modeste, i nënshkruar nga Borussia Dortmundi si zëvendësues për Sebastien Hallerin e mënjanuar. Modeste shënoi 20 gola për Koelnin sezonin e kaluar. Dortmundi luan në Freiburg të premten. Patrik Schicku i Bayer Leverkusenit shënoi 24 gola, duke përfunduar i dyti në listë pas Lewandowskit. Sulmuesi i Republikës Çeke mund të ketë qenë një objektiv për klube të tjera, por ai nënshkroi një marrëveshje të re me Leverkusenin për të qëndruar deri në vitin 2027. Christopher Nkunku i Leipzigut shënoi 20 gola sezonin e kaluar dhe tashmë sezonin e ka nisur furishëm, duke shënuar golin e vetëm të ekipit të tij në barazimin 1:1 në Stuttgart fundjavën e kaluar. Ai gjithashtu zgjati kontratën e tij me Leipzigun përkundër interesimit të madh nga klubet e tjera.
“Ne jemi krenarë dhe të lumtur që mund të mbajmë një nga lojtarët më të mirë në botë për momentin në Leipzig”, tha drejtori teknik Christopher Vivell.
Sulmuesi i SHBA-së, Jordan Pefok, shënoi në debutimin e tij në Bundesligë për Union Berlinin fundjavën e kaluar. Ai gjithashtu shënoi në debutimin e tij në Kupën e Gjermanisë. Pefok, i cili ka një gol në nëntë paraqitje për SHBA-në, ishte golashënuesi më i mirë i ligës zvicerane me 22 gola sezonin e kaluar dhe i përshtatet qartë stilit të lojës së Unionit. Simon Terodde ishte golashënuesi më i mirë në kategorinë e dytë katër herë. Pasi ndihmoi Schalken të kthehej në Bundesligë me 30 gola sezonin e kaluar, 34-vjeçari Terodde do të shpresojë të vazhdojë formën e tij në divizionin e lartë. Disa sulmues të tjerë që ia vlen të shikohen: Sasha Kalajxhiq në Stuttgart, nëse ai qëndron mes interesimit të raportuar nga Manchester Unitedi; Transferimi i ri i Eintracht Frankfurtit, Randal Kolo Muani, i cili shënoi në debutimin e tij kundër Bayern Munichut; dhe sulmuesi i Portugalisë, Andre Silva, në Leipzig, ku ai ende nuk është stabilizuar që nga transferimi i tij më 2021 nga Frankfurti. Nuk duhet anashkaluar as Sadio Manen e Bayernit, i cili u transferua nga Liverpooli për të ndihmuar në kompensimin e largimit të Lewandowskit. Por sulmuesi i Senegalit është një lloj tjetër lojtari dhe nuk pritet të përputhet me aftësinë e polakut në shënimin e golit. Megjithatë, Mane shënoi në debutimin e tij fundjavën e kaluar. Jamal Musiala shënoi dy gola dhe Joshua Kimmich, Benjamin Pavard dhe Serge Gnabry gjithashtu shënuan, ndërsa Bayerni mposhti Eintracht Frankfurtin 6:1.
Bayerni, gjithashtu, ra dakord të paguante deri në 30 milionë euro Rennesit për adoleshentin francez, Mathys Tel. 17-vjeçari Tel nuk shënoi në nëntë paraqitje për Rennesin, por Bayerni është i bindur se ai mund të jetë një yll i ardhshëm. Mane ka më shumë gjasa se Tel për të sfiduar “topin e golashënuesit” më të mirë në afat të shkurtër. Ylli i Senegalit shënoi 111 gola në 262 ndeshje të Premier Leagues, ku shpesh luante në krah. Duke luajtur si numër 9, ai shënoi 19 gola në 29 ndeshje për Liverpoolin, një kuotë inkurajuese veçanërisht me nivelin e mbështetjes që do të marrë nga formacioni sulmues i Bayernit. Vetëm një lojtar arriti të fitonte topin në sezonin e tij të parë në Bundesligë - sulmuesi italian i Bayernit, Luca Toni, me 24 gola në edicionin 2007/08. Mane ka një shans të mirë për t’u bërë i dyti. Liga filloi me 33 gola në nëntë ndeshje fundjavën e kaluar.