Futboll

Pas suksesit të premten, Kane synon një tjetër rekord

Harry Kane

Foto: Associated Press

Në fitoren 4:0 në Bundesligë ndaj Werder Bremenit, 32-vjeçari Kane realizoi dy gola dhe shkoi në kuotën e 100 golave për Bayern Munichun. Këtë shifër të golave të shënuar, sulmuesi anglez e arriti për 104 ndeshje. 

Cristiano Ronaldos dhe Erling Haalandit iu deshën nga 105 ndeshje për të shënuar 100 gola për Real Madridin dhe Manchester Cityn. Kane e arriti këtë shifër më herët, ndërsa tani synon një tjetër rekord, atë të Robert Lewandowskit. 

Ish-sulmuesi i Bayernit, 37-vjeçari Lewandowski, e mban rekordin për më së shumti gola brenda një sezoni në Bundesligë, 41 gjithsej. Këtë e kishte arritur në edicionin 2020-21. 

Ikona e Bayernit, Gerd Muller, e kishte mbajtur rekordin me 40 gola brenda një sezoni, të cilin e kishte regjistruar në sezonin 1971/72. 

Nëse Kane vazhdon me këtë ritëm të shënimit të golave në Bundesligë deri në fund të kampanjës, ai do të kishte 68 gola në fund.