Futbollisti i krahut, Ermir Lenjani është përforcimi më i ri i Schaffhausenit, ekip që bën gara në në kategorinë e dytë zvicerane.
Lenjani është prezantuar të mërkurën te Schaffhauseni nga Admir Mehmedi, i cili është drejtor sportiv i këtij ekipi. 34-vjeçari te Schaffhauseni është transferuar si lojtar i lirë dhe ka firmosur kontratë deri në fund të këtij edicioni. Ai ishte pa klub prej verës së vitit të shkuar kur i skadoi kontrata me ekipin nga Turqia, Umraniyespor.
Lenjani te Schaffhauseni po shihet si përforcim i duhur, duke e pasur parasysh përvojën e tij, sidomos në futbollin zviceran, ku ka luajtur edhe për Winterthurin, Grasshopperin, St, Gallenin e Sionin. Ai karrierë ka bërë edhe në Francë, ku ishte pjesë e Nantesit dhe Rennesit, ndërsa ka edhe 44 paraqitje dhe katër gola të shënuar me Shqipërinë.
“Ai është një profesionist i vërtetë dhe ka një mentalitet të jashtëzakonshëm. Me të në ekip, në mund të shpresojmë se do të kemi dinamikë të lojës në krahun e majtë. Po ashtu, është lojtar me pëvojë të madhe”, ka thënë Mehmedi. Lenjani do ta bartë fanellën me numrin 33 të Schaffhauseni, ekip që zë vendin e fundit në Challenge League.