Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lenjani kërkon sfidën finale para se të “pensionohet” në verë

Ndonëse nga korriku është pa skuadër, 34-vjeçari Ermir Lenjani po punon për ta mbajtur formën dhe synon të luajë edhe gjashtë muaj para se në verën e ardhshme të përshëndetet nga futbolli i luajtur.

Lojtari i krahut të majtë së fundi u paraqit për skuadrën turke Umraniyespor. Është kthyer në Zvicër, ku po vazhdon punën, por jo në ndonjë skuadër. Është i vetëdijshëm që karrierës së madhe po i vjen fundi.

Lenjani për një dekadë ishte pjesë e Kombëtares së Shqipërisë. Mburret me 44 paraqitjet dhe pesë golat me kuqezinjtë.

Winterthur, Grasshopper, St. Gallen, Rennes (Francë), Nantes (Francë), Sion e Umraniyespor janë skuadrat e Lenjanit. Ai jeton në Winterthur të Zvicrës, ku është kthyer pas karrierës në Turqi.

“Askush nuk ka llogaritur në mua te juniorët e Winterthurit. Ndonëse kam pasur të majtë të mirë, isha shumë i lehtë. Por nuk jam dorëzuar. Kam dashur të punojë. Dhe për këtë jam më krenari në jetën time”, ka thënë Lenjani për “Blick”.

Edhe Lenjani i jep fund karrierës me Shqipërinë: Krenar që emri im është pjesë e historisë Futboll Lenjani i jep fund karrierës me Shqipërinë: Krenar që emri im është pjesë e historisë

Falë punës së madhe, Lenjani ia doli të depërtojë te Winterthuri. Më pas luajti për Grasshopperin, por shpërtheu te St. Galleni. Ra në sy të Shqipërisë. Po ashtu u transferua te Rennesi në francë, ku bashkëlojtar e kishte Ousmane Dembelen. Te Rennesi nuk shfaqi shumë dhe u huazua te Nantesi, para se të kthehej te Sioni, pas dy vjetëve në Francë.

Së fundi qëndroi në Turqi.

“Liga turke është shumë interesante. Kam jetuar në një qytet shumë të bukur, kemi luajtur rregullisht në stadiume të mëdha, kundër lojtarëve të mëdhenj”, ka thënë Lenjani.

Pas kthimit në verë në Zvicër, asnjë skuadër nuk shfaqi interesim për ta transferuar. Por vazhdoi punën me trajner fitnesi dhe po e pret ofertën e duhur.

“Qëllimi im është i qartë – jam në dispozicion të klubeve profesionale në Zvicër , që të luaj për gjashtë muaj në nivel të lartë dhe të bëhem gati për atë që vjen pastaj”, thotë Lenjani.

Edhe Lenjani prezantohet nga Mehmedi te Schaffhauseni Sport Lenjani prezantohet nga Mehmedi te Schaffhauseni

Ai do të mbetet në futboll. Ka diplomën A të trajnerit dhe ka ndjekur shkollime për menaxher futbolli.

Lenjani e di që nuk ka gjasa të jetë me Shqipërinë në Kampionatin Evropian të verës së ardhshme. Por thotë se do të jetë tifozi më i zjarrtë dhe se është krenar që ishte pjesë e këtij tregimi.

“Euro 2016” mbetet pika kulmore në karrierën e Lenjanit. Ende është i emocionuar për atë paraqitje.

“Nuk kam fjalë për ta përshkruar këtë. Mijëra shqiptarë ishin në stadium. Ishte hera e parë që paraqiteshim në Evropian. Dhe për pak nuk kaluam në rundin e dytë nga vendi i tretë në grup. Ishim shumë afër”.

Edhe Lewandowski nuk e mendon pensionimin Futboll Lewandowski nuk e mendon pensionimin

Lenjani vlerëson se kishte karrierë të suksesshme pasi ka shfaqur maksimumin e potencialit të tij.

“Ka lojtarë të talentuar që mund ta kenë luksin për të mos shfaqur maksimumin e aftësive të tyre. Unë nuk kam mundur ta bëj këtë. Kështu që mesazhi im është se duhet të angazhoheni maksimalisht, të punoni seriozisht dhe po ashtu të merrni vendimet e duhura në kohën e duhur. Lojtarët nuk duhet të kalojnë në vende të tjera shumë herët”, ka theksuar Ermir Lenjani.