Paraqitjen me fanellën e Shqipërinë në “Euro 2016”, Ermir Lenjani e ka cilësuar një nga momentet më të mira në karrierën e tij. Lenjani, i cili të enjten njoftoi për tërheqjen nga Kombëtarja e Shqipërisë, ka thënë se është krenar që emri i tij do të jetë pjesë e historisë së futbollit shqiptar.
“Dua t’ju njoftoj se kam vendosur të tërhiqem nga Kombëtarja shqiptare. Një vendim aspak i lehtë, por besoj që është momenti i duhur. Për mua ka qenë gjithmonë nder dhe përgjegjësi e madhe të vesh fanellën e kombit tim. Jam shumë krenar që emri im është pjesë e historisë së futbollit shqiptar dhe që ëndrra ime e fëmijërisë u realizua në vitin 2016, ku bëmë krenarë kombin kuqezi me përfaqësimin historik për herë të parë në një Kampionat Evropian”, shkruan Lenjani të enjten në njoftimin për tërheqjen nga kombëtarja kuqezi e futbollit.
Për Shqipërinë, mesfushori 35-vjeçar i Schaffhausenit luajti 44 ndeshje, përfshirë tri në Evropianin “Franca 2016”. Ai për Shqipërinë shënoi pesë gola nga viti 2013.
“Kam plot momente të bukura me fanellën kuqezi, që nga debutimi në ndeshjen ndaj Bjellorusisë, te goli i parë në ‘Elbasan Arena’ ndaj Danimarkës, fitorja historike në ‘Francë 2016’ ndaj Rumanisë dhe grumbullimi im i fundit në muajin mars 2023 me Kombëtaren, ku nisi edhe rruga drejt kualifikimit në ‘Euro 2024’.
Lenjani është vlerësuar për paraqitjet e tij me Shqipërinë. Për rrugëtimin e tij te Shqipëria ka falënderuar edhe trajnerët me të cilët ka punuar.
“I jam falënderues Zotit, familjes sime dhe çdo personi që më ka qëndruar pranë në çdo moment. Çdo fillim e ka një fund dhe rrugëtimi im nuk do të ishte i mundur pa trajnerët Gianni de Biasi, Christian Panucci, Edoardo Reja dhe Sylvinho, të cilët dua t’i falënderoj nga zemra për besimin e dhënë”.
Rol të rëndësishëm thotë se ka pasur edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e po ashtu edhe tifozët e Shqipërisë.
“Gjithashtu dua të falënderoj stafin teknik të Kombëtares, Federatën Shqiptare të Futbollit, presidentin Armand Duka dhe të gjithë shokët e skuadrës që më kanë mbështetur në rrugëtimin më të veçantë të jetës time. Në fund, falënderimi im më i madh është për tifozët e Kombëtares shqiptare. Në çdo stadium në Shqipëri dhe në Evropë jemi ndier si në shtëpinë tonë, falë jush, tifozët më të mirë në botë. Tani e tutje jam si të gjithë ju, gjithmonë krah Kombëtares shqiptare dhe djemve kuqezi. Faleminderit nga zemra shqiptarë! Një kapitull i mbyllur, por një rrugë e përjetshme!”, ka mbyllur postimin e tij Lenjani.
Lenjani ka luajtur për disa skuadra në Zvicër, Francë dhe Turqi.