Kanë kaluar shtatë vjet prej kur Arlind Ajeti dhe Shqipëria debutuan në Kampionatin Evropian. Por, Ajeti i ka të freskëta kujtimet për paraqitjen e parë në “Euro 2016” që u zhvillua në Francë.
Nuk mund t’i përshkruajë me fjalë emocionet që i përjetoi në ndeshjen mbase më të veçantë të karrierës.
Në mungesë të ish-kapitenit të Shqipërisë, Lorik Cana shkaku i suspendimit, Ajeti ishte paraqitur deri në minutën e 85-të përkrah Mërgim Mavrajt në qendër të mbrojtjes në ndeshjen ndaj Francës. Shqipëria e humbi 2:0 ndeshjen ndaj Francës.
“Kam fjetur vetëm tri apo katër orë para ndeshjes me Francën. Kjo e përshkruan më së miri emocionin që kemi përjetuar për herë të parë në Evropian”, ka thënë Ajeti të dielën për KOHËN.
Mbrojtësi 30-vjeçar me fanellën e Shqipërisë luajti edhe në fitoren 1:0 ndaj Rumanisë në Euro 2016. Pret të paraqitet për Shqipërinë edhe në Evropianin që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.
“Emocionet sigurisht se do të jenë sërish njësoj, pasi në Gjermani do të kemi mbështetje të madhe nga shqiptarët. Edhe në Francë ka pasur shumë shqiptarë. Do të ketë shumë edhe në Gjermani dhe kjo ndoshta do të jetë në favorin tonë. Do t’i kemi tifozët më të mirë pranë. Është e rëndësishme t’i bëjmë krenarë familjarët dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë”, është shprehur Ajeti.
Mbrojtësi i Clujit rumun ka debutuar për kuqezinjtë në vitin 2014. Për Shqipërinë ka luajtur 24 ndeshje, ndërsa ka shënuar një gol.
Ajeti beson se në Gjermani, Shqipëria do të jetë më e fortë sesa në Francë.
“Në të dyja kualifikimet ka qenë i rëndësishëm grupi. Edhe në vitin 2016, ndoshta jo me kualitet si tash, por grupi ka funksionuar mirë. Secili ka qenë për njëri-tjetrin. Ka pasur konkurrencë, por aspak xhelozi. Grupi ka qenë në radhë të parë. Edhe tash është një grup shumë i mirë, një super atmosferë në grup. Kualiteti është i lartë, lojtarët po luajnë në klube të mëdha. Kanë minutazh të madh dhe kjo e bën të jetë më special kualifikimi në Evropianin në Gjermani”, është shprehur Ajeti.
Ajeti ka luajtur disa vjet në Itali për Frosinonen, Torinon, Reggianan, Padovan e Pordenonen. Karrierë ka bërë edhe në Basel e Grasshopper në Zvicër si dhe në Vejle të Danimarkës. Tani po luan me sukses në Rumani.
Ajeti mungoi shkaku i një lëndimi në dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Evropian. Por pret të jetë pjesë e kuqezinjve në “Euro 2024”.
“Kualifikimi në Evropian nuk është historik vetëm për gjithë shqiptarët, por edhe për ne lojtarët. Do të jetë madhështore. Paraqitja në Evropian për çdo lojtar është emocion i veçantë. Për karrierën e lojtarëve është vendimtare paraqitja në Evropian”, është shprehur ish-mbrojtësi i kategorive të reja të Zvicrës.
Shqipëria në Evropianin e Gjermanisë do të jetë në grup me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë.
Ajeti thotë se Shqipëria nuk do të udhëtojë me flamur të bardhë, përkundër grupit shumë të fortë.
“Grupi është i vështirë me Spanjën, Italinë, Kroacinë, shtete që gjithmonë kanë treguar futboll të fortë. Por në futboll nuk i dihet kurrë. Ndoshta kanë kualitet më shumë dhe përvojë më të madhe, por nuk do të thotë asgjë. Jemi në moment të mirë, kemi vetëbesim dhe shpresoj që do t’ia dalim edhe në këtë grup, ndonëse është i vështirë. Ne do të shkojmë për të fituar. Do të jetë vështirë, por çdo ndeshje nis me 11 lojtarë. Do të jemi të barabartë në fushë”, insiston Ajeti.
“Spanjë është favorite, me shumë cilësi, por edhe Kroacia dhe Italia janë në atë grup dhe do të jetë çdo ndeshje e vështirë”.
Arlind Ajeti është prej pak lojtarëve që për herë të dytë mund të paraqiten në Evropian me fanellën e Shqipërisë. Në Evropianin 2016, të cilin Shqipëria e mbylli e treta në grup me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë, ishin edhe Etrit Berisha, Elseid Hysaj dhe Sokol Çikalleshi.
“Dëshira është e madhe të jem në këtë Evropian. Uroj të mos kem lëndim. Në dy ndeshjet e fundit nuk kam qenë për shkak të lëndimit, por shpresoj të jemi shëndosh e mirë të gjithë. Dhe, kushdo që do të shkoj, do ta meritoj plotësisht”.
Shqipëria më 15 qershor në Dortmund luan kundër Italisë, më 19 qershor në Hamburg ndaj Kroacisë dhe më 24 qershor kundër Spanjës në Dusseldorf.