(KD) – Kalimi te Cluji rumun doli të jetë hap i duhur për Arlind Ajetin. 30-vjeçari po luan rregullisht në skuadrën rumune dhe për më tepër siguroi kthimin te Kombëtarja e Shqipërisë.
Katër ditë më parë ai e kompletoi ndeshjen ndaj Çekisë dhe kishte paraqitje pozitive përkrah Berat Gjimshitit në qendër të mbrojtjes. Ajeti u aktivizua në vend të Ardian Ismailit të lënduar dhe dëshmoi se ende ka nivelin për të luajtur ndeshje të mëdha. Ai së fundi ishte paraqitur në shtator të vitit të kaluar, ndërsa nuk ishte ftuar fare në tetor e nëntor të vitit të kaluar, si dhe në mars e qershor të këtij viti.
Ajeti ishte aktivizuar në dy prej tri ndeshjeve të Shqipërisë në “Euro 2016”. Tani Shqipëria është fare pranë kualifikimit në “Euro 2024”.
“Jam shumë i lumtur që jam në Kombëtare. Për pak kohë isha i shkëputur, por futbolli i ka këto gjëra dhe duhet të pranojmë ulje-ngritjet. Jam munduar të paraqitem mirë kudo ku kam luajtur, në skuadra dhe në Kombëtare. Natyrisht, Kombëtarja është ndjesi speciale”, ka thënë Ajeti për “Super Sport”.
Ai është i lumtur që u paraqit ndaj Çekisë dhe për fitoren e madhe ndaj saj.
Edhe
Synimi i Ajetit me Shqipërinë – fitore ndaj Serbisë në Tiranë
“Besoj te kjo Kombëtare, sepse ka shumë cilësi. Jemi shumë afër “Euro 2024” dhe mendoj se grupi e ka treguar që e meriton të luajë në Evropian”, ka shtuar Ajeti.
Ai ka bërë edhe një krahasim tek ekipit aktual me atë që u paraqit në “Euro 2016”.
“Kushdo që vjen jep 200 për qind dhe mendoj se sot Kombëtarja ka më shumë cilësi. Lojtarët që janë në Kombëtare luajnë në kampionatet më të forta të Evropës. Aktualisht jemi të fokusuar te ndeshja me Bullgarinë e pastaj për atë me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Duam që kualifikimin në Evropian ta sigurojmë në Moldavi”, ka thënë Ajeti.
Miqësorja me Bullgarinë është të martën në Tiranë, ndërsa ndeshjet kualifikuese me Moldavinë dhe Ishujt Faroe luhen muajin e ardhshëm.
Edhe
Pas dy Evropianëve, Ajeti pret të luajë për Shqipërinë edhe në Botëror
Ajeti ka pranuar se paraqitja për Shqipërinë hap shumë dyer në karrierë. Nuk e ka përjashtuar mundësinë që shpejt të largohet nga kampionati rumun.
Në dy kampionatet e kaluara Ajeti ishte në Serie C të Italisë dhe kjo bëri që mos të ftohej. Karriera e tij ishte në rënie për disa vjet. Në të kaluarën ishte edhe në Serie A, ku i ka 41 paraqitje.