Në njërën anë “nëntëshja blu” e në anën tjetër “mbreti i veriut”. Muri në “Ferenshçica” të Zagrebit mblodhi ushtarë të rëndësishëm të klubit nga Maksimiri. Për përkushtimin e sinqertë ndaj Dinamo Zagrebit, dy ikona kishin trajtim të veçantë në mesin e tifozëve, por edhe nderim në formë të muralit me imazhin e tyre. Në anën e djathtë dominon figura e qeshur dhe mbishkrimi “Cico”, derisa në anën e djathtë është një tjetër i ri e flokëgjatë, mbi imazhin e të cilit shkruan: “Veriu ka mbretin e tij, emri i tij është Kujtim Shala”.
“Më vjen shumë mirë që nuk më kanë harruar, kam dhënë çdo gjë për Dinamon. Po ashtu më vjen mirë që jam përkrah një legjende si Cico (Kranjçar). Kam shumë respekt për të. Ai është një prej lojtarëve më të mirë që ka dhënë Kroacia”, ka thënë Shala për “Sportske Novosti”.
I pëlqyeri i tifozëve, tani 59-vjeçar, ka kohë që jeton në Gjermani. Ai është bashkëbisedues ideal pas paraqitjes shterpe të Dinamos në “Polud” por edhe para udhëtimit për në Prishtinë për sfidën e re në skenën evropiane.
15 ditë më parë ishte 34-vjetori i debutimit të Shalës për Dinamon, pas largimit nga Kosova. Në krahët e tij dhe të Zvonimir Bobanit, Dinamo e mposhti Hajdukun, ndërsa atë ditë u bë i pëlqyeri i “Bad Blue Boys”. Pasi e dërgoi portierin në anën tjetër dhe tundi rrjetën, Shala vrapoi gjithë terrenin dhe festën e bëri para tribunës veriore.
“Ai me siguri është kujtimi më i mirë nga Dinamo, ajo pritje nga BBB, nuk do ta harroj kurrë. Dinamo për mua është gjithçka. Gjithnjë kam thënë se vitet më të mira i kam kaluar në Zagreb. Gjithnjë do të jem tifoz i Dinamos”.
Për derbin e së dielës me Hajdukun, Shala nuk ka fshehur dëshpërimin. Ka thënë se më mirë do të ishte të mos e shikonte ndeshjen.
“Në kohën tonë ne nuk do ta lejonim që Hajduku të udhëheqë e ne mos të barazojmë. Në Split në vitin 1990 ishim dy herë duke humbur, por dy herë kemi barazuar. Më pas përmes Shukerit kemi fituar ndeshjen”.
Tani Dinamon e pret udhëtimi për në Prishtinë, ku të enjten e luan ndeshjen e fazës grupore të Ligës së Konferencës me Ballkanin e Suharekës (18:45).
Shala pikërisht nga qyteti i Prishtinës në vitin 1989 u transferua në stadiumin “Maksimir”.
“Në futboll është gjithçka e mundur, nuk bën të nënvlerësohet askush. Ballkani është në formë të mirë, luan fort në shtëpi, por tani do të përballet me ekipin më të madh nga këto hapësira. Nuk do të jetë lehtë, por jemi ekip më i mirë (Dinamo v.j). Duhet ta kemi parasysh që Ballkani nuk luan në terrenin vendës, por në Prishtinë. Pres që të ketë presion në 10-15 minutat e parë, duhet kujdes”, ka thënë Shala.
Ndonëse Ballkani do të jep çdo gjë për fitore apo barazim, Dinamo në Kosovë do të ketë pritje madhështore, thotë Shala.
“Absolutisht. Dinamo do të ketë pritje të madhe, vëllazërore, për këtë nuk ka dyshim. Për aq sa po shoh në portale dhe gazeta, vëllezërit kroatë janë të mirëseardhur në Kosovë. Qartë, njerëzit e duan Dinamon, ka edhe atje tifozë”.
Shala nuk do të jetë në ndeshje. Thotë se do të shkonte sikur ta ftonte Dinamo, por nuk ka bërë ndonjë plan.
Dinamo ka skuadër dukshëm më të shtrenjtë se Ballkani, por kampionin kroat nuk do ta pretë punë e lehtë.
“Janë shumë luftarakë, dinë të luajnë (lojtarët e Ballkanit v.j.). Ka dy-tre individë të mirë, ndërsa në mbrojtje është skuadër me durim. Kanë pritur shumë mirë në ndeshjen me Viktorian në Plzen. Të gjithë janë së bashku, tërhiqen dhe janë të fortë në zonën e tyre. Tentojnë të luajnë në kundërsulme, sidomos përmes begut të majtë. Ballkani është numër një në Kosovë, por Dinamo nuk duhet të frikësohet”, ka thënë Kujtim Shala.