Sport

Kthimi “ekspres” i Trepçës '89 në Superligë

trepca 89, sport, futboll, superliga, sporti

Me fitoren e fundit ndaj Trepçës, skuadra e Trepçës ’89 edhe matematikisht e ka konfirmuar kthimin në Superligën e Kosovës në futboll për sezonin 2022/23, pa përfunduar ende sezoni aktual. Trepça ’89, të mërkurën, triumfoi në derbin lokal kundër Trepçës me rezultatin 2:0 për ta forcuar edhe më tej kreun e tabelës në Ligën e Parë – Grupi A.

Pas 23 xhirove të zhvilluara, 89-shi prin bindshëm në klasifikim me 50 pikë të grumbulluara, 12 më shumë se Liria që renditet e dyta. Kthimin në Superligë, skuadra nga Mitrovica po e bën pas vetëm një sezoni në Ligën e Parë.

E në këtë kategori, Trepça ’89 është treguar superiore karshi kundërshtarëve të tjerë. Ka vetëm një humbje karshi 14 fitoreve e tetë barazimeve. Trajneri Shpëtim Idrizi është shprehur i lumtur me rikthimin ekspres të ekipit në elitën e futbollit kosovar. Megjithatë, Idrizi të gjitha meritat ua ka atribuuar lojtarëve të tij.

“Duke pasur parasysh ambiciet e ekipit, atëherë rikthimi në Superligë ka qenë i pritshëm për shkak se parashikimet tona ishin që të kthehemi sa më shpejt. Edhe matematikisht u kthyem në Superligë pas vetëm një sezoni në Ligën e Parë, përkundër që kemi bërë ndërrime dhe 70 për qind e ekipit është ndërruar”, ka thënë Idrizi për KOHËN.

“Kemi krijuar një ekip homogjen, i cili ka luftuar në çdo ndeshje dhe falë këtij grupi të lojtarëve arritëm të përmbushim objektivin tonë”.

Idrizi ka pranuar se ka dallim mes Ligës së Parë dhe Superligës, por ka shtuar se 89-shi do të jetë plotësisht gati për të luajtur në elitë sezonin e ardhshëm. Ai tashmë ka paralajmëruar se në edicionin e ri, Trepça ’89 do të luftojë për dalje në garat evropiane.

“Jam shumë i lumtur që e realizuam këtë synim dhe tani na mbetet ta bëjmë ekipin edhe për Superliugë, ku ndoshta me dy tri përforcime do të jemi arrë e forë. Lojtarët e ri janë protagonistët kryesor të këtij kthimi në Superligës dhe prioritet do t’i japim edhe këtyre lojtarëve. Do të luftojmë për të dalë në Evropë”, insistoi Idrizi.

“Nëse e krahasojmë Ligën e Parë me Superligë është një dallim shumë i madh, si në aspektin taktik, ashtu edhe infrastrukturë. Shumica e fushave ishin me bari artificial, gjë që ka qenë shumë vështirë për ne, por në fund ia dolëm”.

Po ashtu, edhe Idrizi ka thënë se është dukshëm më i përgatitur dhe më me përvojë për ta udhëhequr 89-shin në Superligë sezonin e ardhshëm. Në fakt, Idrizi ishte në krye të ekipit që nuk arriti t’i shpëtojë rënies sezonin e shkuar. 89-shi përfundoi në pozitën e tetë në tabelë, por ra në një kategori më poshtë pasi u mposht në barazh nga skuadra e Dukagjinit.

“Është viti i tretë dhe kam marrë një përvojë edhe akoma dhe nuk do t’i bëjmë të njëjtat gabime sikurse sezonin e shkuar. Pra, do të jemi dukshëm më të përgatitur për të arritur synimet që do t’i kemi”, shtoi Idrizi.

Megjithatë, para se të mendojë për Superligën, Idrizi dhe Trepça ’89 kanë një synim tjetër për ta arritur këtë edicion.

“Jam i bindur se do ta mbyllim sezonin me vetëm një humbje. Do ta thyejmë një rekord që akoma se ka bërë asnjë ekip, pra duke e përfunduar edicionin me një disfatë. Do t’u qasemi me seriozitetin më të madh të gjitha ndeshjeve që i kemi deri në fund të sezonit për të mos pësuar më humbje”, ka insistuar Idrizi.

Veçse është ekipi i vetëm i Grupit A me vetëm një humbje deri më tani, Trepça ’89 ka sulmin më efikas dhe mbrojtjen më të mirë në tërë Ligën e Parë, duke përfshirë edhe Grupin B – me 45 gola të shënuar karshi 11 golave të pranuar.