Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kryetari i Ballkanit: Rrugëtimi deri te titulli ishte i vështirë

Kryetari i klubit të futbollit Ballkani, Arsim Kabashi, i është gëzuar titullit të kampionit. Ballkani është shpallur për herë të parë në histori të klubit kampion i Kosovës. Skuadra nga Suhareka është themeluar para 75 vjetësh.

Titullin e siguroi të mërkurën falë barazimit pa gola në derbin e Gjilanit, Gjilani – Drita.

Deri në fund të kampionatit aktual, Ballkanit i kanë mbetur edhe katër ndeshje për t’i zhvilluar. Të radhës do ta ketë të enjten ndaj Malishevës.

Kabashi e ka quajtur të vështirë rrugëtimin deri te titulli i kampionit.

“Rrugëtimi deri në shpalljen kampion ishte i vështirë, duke na dhuruar shumë emocione të forta, ndonjëherë edhe zhgënjime të cilat janë pjesë përbërëse jo vetëm të futbollit por edhe të jetës në përgjithësi. Tri vitet e fundit kishin shumë ngjarje dhe dinamikë ku ne arrinim deri në finale të Kupës, por nuk e fitonim. Gjithashtu, kur arrinim deri te kreu i tabelës titulli na ikte nga duart. Megjithatë, të gjitha këto, nganjëherë edhe zhgënjimet asnjëherë nuk na kanë bërë që ne të dorëzohemi. Përkundrazi, ne ktheheshim edhe më të fortë dhe ja ku jemi tani duke përmbushur ëndrrat e shumë tifozëve tanë që nga themelimi i klubit në vitin e largët 1947”, ka shkruar ndër të tjera Kabashi në facebook.

Për suksesin historik, Kabashi ka falënderuar gjithë kontribuuesit që nga themelimi e deri të mërkurën kur klubi i udhëhequr nga ai, festoi titullin e kampionit për herë të parë në histori.