Presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi, paralajmëroi se titullin e sivjetmë do të jetë vetëm fillimi i sukseve të këtij klubi, derisa tha se tash janë të përkushtuar për garat evropiane.
Ai deklaroi në “Sportin Total” në KTV të dielën se në 4-5 vjetët e fundit skuadra ballkanase ka pasur suksese të shumta, por në dy vitet e fundit, siç tha Kabashi, sakrifica dhe mundi u shtuan.
“Ka qenë më vështirë ta mbrosh titullin, por mundi dhe sakrifica është shpërblyer. Kjo meritë i shkon fillimisht lojtarëve, trajnerit dhe stafit. Ka qenë e vështirë por më në fund ia dolëm. Kemi qenë në shumë gara dhe kemi pasur shumë lojë, mbi 55 lojë. Lojërat në Evropë kanë qenë eksperiencë e madhe, ato të arritura s'besoj se do të mund t'i arrijmë përsëri. Po shpresojmë ecim edhe më tutje. Në 4-5 vjetët e fundit, qëkur është një menaxhim më i mirë, kemi qenë shumë afër. Për shumë vite s'do të jetë e lehtë, por besoj shumë se në 2-3 pozitat e para do të jemi, ky është vetëm fillimi sepse e kemi mësuar rrugën dhe do të ecim edhe shumë vite në këtë formë”, deklaroi Kabashi.
Ballkani e ka fituar titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në futboll për herë të dytë radhazi.
Skuadra suharekase mposhti në shtëpi të shtunën Ferizajn 2:0, dhe falë humbjes së Dritës, ka siguruar edhe matematikisht vendin e parë, një xhiro pa përfunduar sezoni.