Përzgjedhësi i Gjermanisë në futboll, Julian Nagelsmann, ka ftuar gjashtë futbollistë të rinj për ndeshjet miqësore të këtij muaji kundër Francës dhe Holandës.
Nagelsmann po ashtu përfshiu edhe 34-vjeçarin Toni Kroos, në mesin e 26 futbollistëve të ftuar për këto ndeshje.
Kroosi rikthehet në përfaqësuese pas afër tre vjetësh.
“Jam shumë i lumtur që e kam bindur atë të kthehet”, ka thënë Nagelsmann, duke shtuar se ka pasur “shumë bisedime” me Kroosin.
Në mesin e të ftuarve janë edhe futbollistët e Stuttgartit, Waldemar Anton, Maximilian Mittelstadt dhe Deniz Undav. Fytyra të reja te Gjermania janë edhe sulmuesi i Hoffenheimit, Maximilian Beier dhe specialisti i gjuajtjeve të lira, Jan-Niklas Beste, që luan për Heidenheimin.
Gjermania ka pasur rezultate jo të pritshme në ngjarjet e mëdha së fundmi, ndërsa po e shikon mundësinë e këndelljes në verë në “Euro 2024”.
Gjermania është nikoqire e Evropianit që do të mbahet prej 14 qershorit deri më 14 korrik.
Në Grupin A, Gjermania është bashkë me Zvicrën, Skocinë dhe Hungarinë.