Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Krenar me stilin denfesiv, Atletico ende gjallë në duelin kundër Cityt

Atletico Madridi nuk po e bënte asnjë justifikim për stilin shumë denfesiv që e përdori në ndeshjen e parë kundër Manchester Cityt në çerekfinale të Ligës së Kampionëve të martën mbrëma. Trajneri Diego Simeone dhe lojtarët e tij, në fakt e kanë mbrojtur me krenari këtë stil të lojës. Atletico, që nga fillimi u tërhoq prapa ndaj Cityt të Pep Guardiolas në Manchester, duke e pësuar vetëm një gol që vendosi rezultatin 1:0 para ndeshjes kthyese që luhet në Madrid javën tjetër. Guardiola e shfaqi frustrimin pas ndeshjes, duke thënë se të gjesh hapësira kundër skuadrave të vendosura si Atletico ka qenë e vështirë, pavarësisht se a është luajtur ndeshja “shumë vjet më parë, tani apo në të ardhmen”. Kjo deklaratë është parë në Spanjë si sulm i Guardiolas ndaj Simeones dhe Atleticos për përdorimin e një stili të vjetruar të futbollit. Nuk shkoi larg para se kjo të merrte kundërshtime.

“Në dashuri me historinë tuaj që nga parahistoria”, ka shkruar kapiteni i Atleticos, Koke në “Instagram” pas ndeshjes, së bashku me një fotografi të logos së klubit. “Krenar që jam Atleti”.

Guardiola është ankuar se ka qenë e vështirë të thyhen dy linja me nga pesë lojtarë që Simeone i kishte përdorur për t’u mbrojtur nga City, që të mos i afrohej portës. Në anën tjetër, Simeone ka thënë se ishte “krenar” për mënyrën se si luajti skuadra e tij.

“Ne kemi dalë nga kjo ndeshje të përforcuar. Jemi gjallë”, ka thënë ai. “Jemi mbrojtur shumë mirë në pjesën e parë. Ka shumë vlerë dhe nuk ka turp, në një ndeshje me sistem të fortë defensiv”.

Guardiola ka thënë para ndeshjes se të dy stilet e lojës duhet të respektohen dhe ka qenë e mirë që ide të ndryshme janë përdorur nga skuadra të ndryshme. City e mbylli ndeshjen me 15 tentime për të shënuar, ani pse vetëm dy prej tyre ishin në kornizë, përfshirë edhe golin e Kevin De Bruynet në minutën e 70-të.

Edhe Simeone ndihet krenar për ekipin e tij Futboll Simeone ndihet krenar për ekipin e tij

“Ata luajtën me thuajse pesë në mbrojtje e pesë në mesfushë. Është e vështirë të gjesh hapësira”, tha De Bruyne.

Ndërkohë, Guardiola shtoi: “Mënyra se si kemi luajtur ishte e mirë sepse nuk humbëm asgjë. Duhet të jesh i qetë, i durueshëm dhe të provosh të gjesh hapësira”.

Atletico nuk pati asnjë tentim për gol dhe rreth 30 për qind të posedimit të topit.

“Jemi mbrojtur shumë mirë gjatë gjithë ndeshjes përveç në momentin kur e shënuan golin”, tha portieri i Atleticos, Jan Oblak. “City luan duke e përdorur posedimin e topit si fuqi, por ne e kishim të qartë çdo gjë, gjithë natën”.

Edhe Flick kritik ndaj mbrojtjes, Simeone çmon shpirtin luftarak të skuadrës Futboll Flick kritik ndaj mbrojtjes, Simeone çmon shpirtin luftarak të skuadrës

Mbrojtja solide e Atleticos e ka ndihmuar tashmë skuadrën ta kalojë Manchester Unitedin në 1/8 së finales. Pas barazimit 1:1 në shtëpi, fitoi 1:0 në “Old Trafford” për t’u kualifikuar në çerekfinale për herën e gjashtë në nëntë sezone. Falë sulmuesve si Antoine Griezmann dhe Joao Felix, Atletico tregoi në ndeshjen e parë kundër Manchester Unitedit se ka potencial të madh edhe në sulm po ashtu, duke dominuar ndeshjen dhe duke krijuar shumë mundësi shënimi, derisa e pranoi golin e vonshëm, kur vizitorët dukeshin të mposhtur. Atleticos i duhet të shënojë të paktën një gol në “Wanda Metropolitano Stadium” në ndeshjen kthyese kundër Manchester Cityt në javën tjetër, për t’i mbajtur gjallë shpresat e triumfit në një garë evropiane për herën e parë, pas shumë tentimeve në të kaluarën.

“Do ta ndryshojmë mënyrën e lojës në ndeshjen kthyese, por do të jetë e njëjta për ata. City do të luajë në të njëjtën mënyrë”, ka thënë Simeone. “Por me kokë ulur dhe me punë të madhe do të garojmë fort. Më pas do të shohim se ku do të na dërgojë ajo”.