Pavarësisht se u reduktua në dhjetë lojtarë dhe u pengua në sulm, Atletico Madridi kishte ende një shans të fundit për të dërguar çerekfinalen e tij të tensionuar të Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt në kohën shtesë. Por kur topi i erdhi Angel Correas në zonë, sulmuesi e drejtoi gjuajtjen e tij në kohën shtesë drejt e në duart e portierit Ederson. Portieri i Cityt siguroi një barazim pa gola në Madrid të mërkurën mbrëma dhe bëri paraqitje të mirë në fitoren 1:0 të ekipit anglez në ndeshjen e parë. Atletico nuk mund të qëndrojë gjatë në zhgënjim. Duhet të shpëtojë atë që mundet nga sezoni që është në përfundim e sipër, duke u siguruar që të kthehet në garën më të mirë të klubeve evropiane me një përfundim në top katërshe të La Ligas.
“Ne jemi të lënduar për mënyrën se si përfundoi Liga e Kampionëve dhe nuk do të ndalojmë kurrë së besuari”, tha mesfushori i Atleticos, Koke Resurreccion. “Ne duhet ta përfundojmë mirë sezonin për të luajtur sërish në Champions dhe të jemi në gjendje të luajmë ndeshje të tilla sezonin e ardhshëm”.
Atletico pret Espanyol të dielën në kampionat. Kampioni në fuqi i Spanjës hyn në këtë xhiro nga pozita e katërt në tabelë, por Real Betisi i pestë është një pikë prapa, para se të luajë të premten me Real Sociedadin e vendit të gjashtë. Sociedadi është gjithashtu në distancë goditëse me vetëm tri pikë prapa Atleticos dhe po synon gjithashtu vendin e katërt. Me Real Madridin që është shkëputur në luftën për titull në Spanjë, gara më e madhe është për ato tri vendet e tjera të Ligës së Kampionëve. Barcelona dhe Sevilla, që ndajnë vendin e dytë dhe të tretë në tabelë me pikë të barabarta, janë vetëm tri pikë përpara Atleticos. Skuadra e Diego Simeones fitoi gjashtë ndeshje rresht në La Liga – ecuria më e mirë e sezonit – derisa u mposht në Mallorca 1:0 fundjavën e kaluar. Së bashku me serinë ndaj Manchester Cityt, Atletico ka mbetur pa shënuar gol në tri ndeshje radhazi. Pra, ndërsa Atletico ia doli të kufizonte sulmin e lavdëruar të Cityt në një gol të vetëm në 180 minuta më shumë, Simeone dështoi të paraqiste rrezik të mjaftueshëm pavarësisht se kishte shtuar Antoine Griezmannin dhe Matheus Cunhan në një sulm që kishte tashmë Correan, Luis Suarezin e Joao Felixin. Espanyol i ofron Atleticos një mundësi të mirë për të rizbuluar prekjen përfundimtare, atë para portës.
Espanyoli është i pozicionuar në vendin e 11-të në tabelë dhe është pa fitore në pesë ndeshjet e fundit në udhëtim. Triumfin e fundit si mysafir, Espanyoli e ka regjistruar në dhjetor të vitit të kaluar. Real Madridi është 12 pikë përpara se të vizitojë Sevillan e vendit të tretë të dielën. Ndeshja e Sevillas dhe ndeshja me Atleticon muajin e ardhshëm janë pengesat më të mëdha që i mbeten Real Madridit për ta fituar titullin e 34 të Spanjës. Karim Benzema dhe 24 golat e tij në ligë do ta udhëheqin sërish Madridin në Sevilla. Golin e 38-të në të gjitha garat këtë sezon, Benzema e arriti të martën mbrëma kur shënoi në çerekfinalen e dytë për fitoren e përgjithshme të Realit 5:4 ndaj Chelseat. Real Madridi do të jetë pa mesfushorin Casemiro, i cili është i suspenduar për këtë ndeshje. Fitorja 4-2 e Sevillas ndaj Granadas fundjavën e kaluar ishte e para në pesë xhirot e fundit. Barcelona e pret Cadizin të hënën, pasi fitoi gjashtë ndeshjet e fundit të ligës me rezultatin e përgjithshëm 22:5. Sulmuesi Pierre-Emerick Aubameyang ka shënuar tetë herë gjatë kësaj periudhe.