Florent Hadërgjonaj është i vetmi prej grupit aktual të lojtarëve të Kosovës që ka arritur të zhvillojë ndeshje për ekipin e parë të vendit të lindjes – Zvicrës.
Kosova të shtunën do ta ketë kundërshtare Zvicrën në Prishtinë. Ka gjasa që Hadërgjonaj, 29-vjeçar, të jetë startues në krahun e djathë të mbrojtjes.
Në listën për ndeshjet ndaj Zvicrës dhe Rumanisë, përzgjedhësi Primozh Gliha ka përfshirë edhe pesë futbollistë të tjerë të lindur në Zvicër.
Të lindur në Zvicër janë edhe portieri Arijanet Muriq, pastaj mbrojtësit Fidan Aliti, Kreshnik Hajrizi, Ismajl Beka dhe Andi Hoti. Hoti në fakt u përfshi në listën e Përfaqësueses A, por u grumbullua me Kosovën U21.
Për secilin prej tyre ndeshja ndaj Zvicrës do të jetë e veçantë, ashtu si edhe për Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën, Uran Bislimin e Ardon Jasharin. Bislimi ka luajtur për Kosovën para se t’i bashkohej Zvicrës. Xherdani u lind në Gjilan. Graniti ka lidhje të ngushtë me Kosovën, përkatësisht Prishtinën, ku të shtunën do të luhet ndeshja e grupit I kualifikues për Evropianin e vitit 2024 në Gjermani.
Hadërgjonaj u lind në Langnau im Emmental më 31 korrik të vitit 1994. Ka luajtur për U20 e U21 të Zvicrës dhe një ndeshje me Zvicrën A, para se në vitin 2019 të vendoste për Kosovën. Ndeshjen me ekipin e parë të helvetikëve, Hadërgjonaj e luajti më 1 qershor të vitit 2017. Zvicra fitoi miqësoren ndaj Bjellurisë 1:0 me golin e Xherdan Shaqirit.
Hadërgjonaj ishte inkuadruar në pjesën e dytë, ndërsa rezervist për Zvicrën ka qenë edhe në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, ndaj Belgjikës dhe Islandës, në tetor të vitit 2018. Më pas nuk u ftua nga Zvicra dhe vendosi ta përfaqësojë Kosovën. Për Kosovën ka luajtur 25 ndeshje dhe ka shënuar një gol.
mst: 26 paraqitjet e Kreshnik Hajrizit për Zvicrën
Për gjeneratat e reja të Zvicrës ka luajtur edhe Kreshnik Hajrizi. 12 ndeshje dhe dy gola i ka për U17, nëntë për U16 dhe pesë për U15.
Hajrizi luan mbrojtës i qendrës. U lind më 28 maj të vitit 1999 në Sierre.
Ai ka luajtur tetë ndeshje për Shpresat e Kosovës, ndërsa ka edhe një ndeshje për Kosovën A. Hajrizi luan në kampionatin zviceran për skuadrën e Luganos.
mst: I lindur në Zvicër, luajti për Malin e Zi
Ndërkohë, portieri Arijanet Muriq u lind më 7 nëntor të vitit 1998 në Schlieren të Zvicrës. Nuk ka luajtur për asnjërën prej gjeneratave të Zvicrës. Dy ndeshje i ka luajtur për Malin e Zi U21, derisa për Kosovën nga viti 2018 i ka 28 paraqitje. Familja e tij ka prejardhje nga Rozhaja, qyteti i Malit të Zi në kufi me Kosovën.
“Jam nga familja Muriqi dhe babai im vendosi të luaja për Kosovën. Ndihem më mirë. Kam qenë në Pejë”, pati thënë ai në një intervistë për KOHËN. Muriq është pjesë e Burnleyt të Premier League. Është në pritje të rastit.
Mst: Aliti luajti për Shqipërinë para se t’i bashkohej Kosovës
Fidan Aliti është një tjetër lojtar i Kosovës i lindur në Zvicër. U lind më 3 tetor të vitit 1993 në Binningen. Ai luan në qendër të mbrojtjes dhe në raste edhe si mbrojtës i krahut të majtë.
Ka luajtur dy ndeshje për Shqipërinë para se të vendoste të luante për Kosovën. Për Kosovën nga viti 2017 ka 46 ndeshje dhe një gol. Aliti është pjesë e klubit turk Alanyaspor. Është me prejardhje nga Lugina e Preshevës.
Mst: Ismajl Beka – në pritje të debutimit
Mbrojtësi Ismajl Beka u lind më 31 tetor të vitit 1999 në Frauenfeld. 23-vjeçari ka luajtur pesë ndeshje për Kosovën U19 vite më parë. Pasi po shkëlqen te Luzerni në Superligën e Zvicrës, Beka u ftua nga Kosova pikërisht për ndeshjen ndaj Zvicrës.
“Jam shumë i lumtur që e përfaqësoj Kosovën. Jam shumë i gëzuar dhe i lumtur. Më kanë pritur shumë mirë, lojtarët, stafi. Për mua është shumë mirë e po ashtu për familjen time. Jemi gëzuar shumë dhe shpresoj të jap maksimumin dhe që do të kemi suksese”, ka thënë Beka për sajtin zyrtar të FFK-së, pas stërvitjes së mbajtur të martën. Mediat helvetike kanë shkruar se ai ishte edhe në listën e gjerë të Zvicrës. Por Beka tani është te Kosova.