Lojtarët dhe stafi i Kosovës U21, të mërkurën i kanë kryer testet për koronavirus në Kukës të Shqipërisë, kurse pasdite e kanë përfunduar seancën e katër stërvitore në stadiumin "Rexhep Rexhepi" të Drenasit.
Përfaqësuesja U21 do të ketë shumë mungesa për ndeshjen kundër Anglinë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.
Rreth 15 lojtarë që ishin në planet e përzgjedhësit Rafet Prekazi e që luajnë në Zvicër, Gjermani e Austri nuk janë lejuar nga klubet e tyre që të bashkohen me Kosovën, shkaku i ligjeve të karantinimit.
Përzgjedhësi i Kosovës U21, Rafet Prekazi, nuk i vajton mungesat që ka, sepse beson në lojtarët që i ka grumbulluar.
Ai e theksoi për KOHË-n se Anglia është edhe më e fortë sesa në ndeshjen e parë.
Pavarësisht mungesave në ekip, futbollistët Leonat Vitija dhe Valmir Veliu besojnë në rezultat pozitiv kundër anglezëve.
Për situatën me testimet për Covid-19 dhe mosardhjen e shumë lojtarëve, ka folur menaxheri i ekipit U21, Zgjim Sojeva. Sipas tij, është një ekip i tërë që nuk është lejuar t’i bashkohen për ndeshjen ndaj anglezëve, kurse ka veçuar Eris Abedinin dhe Kreshnik Hajrizin që kanë ardhur nga Zvicra, duke pranuar edhe karantinimin kur të kthehen.
Ai shtoi se i kanë bërë të gjitha përgatitjet, në rast se ndonjë lojtar do të dalë negativë.
Sojeva zbulon se i ftuar ka qenë edhe Jetmir Topalli, por nuk ka ardhur.
Ndeshjen e parë “Dardanët” e kishin humbur ndaj anglezëve si mysafir me rezultat 2:0.
Te enjten, U21 do ta zhvillojë stërvitjen e fundit në “Fadil Vokrri”, kurse të premten nga ora 19:00 luajnë ndaj Anglisë.