Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova përfundon stërvitjen e radhës

Më pak se një orë ka zgjatur të mërkurën stërvitja e Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Stërvitjen normale, selektorit Primozh Gliha ia pamundësuan të reshurat e shiut dhe erërat e forta në vendin tonë. Megjithatë, “Dardanët” dhanë maksimumin gjatë stërvitjes në Kampin Nacional të FFK-së, në Hajvali, në prag të ndeshjes kundër Zvicrës. Ndeshja Zvicër – Kosovë do të zhvillohet të shtunën dhe u takon kualifikimeve për “Euro 2024”. Ndeshja do të luhet në stadiumin “St. Jakob’s Park” në Basel dhe nis në orën 20:45. Biletat tashmë janë shitur për këtë përballje dhe pritet të ketë numër të madh shikuesish shqiptarë krahas atyre zviceran në tribunat e stadiumit të Baselit.

“Seanca e sotme u mbajt nëpër kushte të vështira të motit, me rrebesh shiu dhe erëra të forta. Përkundër këtij fakti futbollistët u shfaqën maksimalisht të përkushtuar në stërvitje dhe me dëshirë për të përmirësuar edhe më shumë formën e tyre fizike”, shkruan në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Të mërkurën pas stërvitjes nuk ka folur asnjë futbollist. Por gjatë ditëve të kaluara, te Kosova kanë shprehur optimizmin para ndeshjes kundër Zvicrës së udhëhequr nga kapiteni Granit Xhaka dhe zëvendëskapiteni Xherdan Shaqiri. Dueli i parë mes Kosovës dhe Zvicrës, i luajtur në Prishtinë, ka përfunduar me rezultatin 2:2.

“Krahas punës në fushën e gjelbër, përzgjedhësi Primozh Gliha dhe stafi i tij po vazhdojnë punën edhe në aspektin teorik. Ata po kryejnë videoanaliza të stërvitjeve të kaluara dhe lojës së fundit, si dhe po e analizojnë me kujdes kundërshtarin, duke përgatitur strategjitë e duhura për këtë ndeshje”, ka shkruar FFK.

“Dardanët” të enjten do ta zhvillojnë edhe stërvitjen e fundit në Prishtinë para nisjes për në Basel. Drejt Baselit, Kosova do të udhëtojë të premten në mëngjes, derisa të shtunën do të përballet me Zvicrën, në kuadër të Grupit I për kualifikimet e Evropianit të vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani. Kosova është pa gjasa për kualifikim, ndërsa Zvicra me fitore siguron kualifikimin e radhës në “Euro 2024”.

Rumania është e para në grup me 16 pikë nga tetë ndeshje, derisa Zvicra është në vendin e dytë me 15 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Prej shtatë ndeshjeve Izraeli ka fituar 11 pikë, kurse Kosova është në vendin e katërt me dhjetë pikë pas tetë ndeshjeve të luajtura. Kundërshtarja e fundit e Kosovës në këtë cikël eliminator, Bjellorusia është në vendin e pestë me gjashtë pikë, derisa Andorra e fundit me dy pikë. Kundër Bjellorusisë, Kosova do të luajë më 21 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë nga ora 20:45.