Kosova ka mbetur pa medalje në Kampionatin Evropian të karatesë për kadetë juniorë dhe garues të grupmoshës U21. Kosova është prezantuar me 21 karateistë në Evropianin që prej të premtes deri të dielën u mbajt në Tbilisi të Gjeorgjisë. Asnjëri prej tyre nuk ka përfunduar në podium.
Më së afërti medaljes ishin Redona Gashi dhe Behije Mustafa.
Redona Gashi u rendit e pesta në kategorinë deri 50 kilogramë, në grupmoshën U21. Ajo të dielën kishte luftën për medalje të bronztë, por u mposht. Humbje në luftë për medalje bronzi të dielën ka pësuar edhe Behije Mustsafa, që garoi në grupmoshën U21 në kategorinë deri 68 kilogramë.
Karateistët e tjerë të Kosovës nuk u janë afruar medaljeve.
Te kadetet, Rinesa Zenuni u ndal në luftën e dytë në kategorinë deri 47 kilogramë. Suela Halimi humbi luftën e parë në kategorinë deri 54 kg, njëjtë si Klea Mjeku në kategorinë mbi 61 kg.
Edhe
Karateistët e Kosovës nuk fituan asnjë luftë në ditën e dytë të Evropianit
Prej djemve te kadetët, Erblin Shoshi humbi luftën e parë (52 kg), derisa Blerand Osmani humbi në xhiron e parë e po ashtu në repesazh në kategorinë mbi 70 kg. Blendi Salihu u paraqit në kata te kadetët dhe u ndal menjëherë.
Te juniorët, Leon Morina u ndal në xhiron e parë në kata. Arbër Nexhipi humbi përballjen e parë në kategorinë deri 55 kg, njëjtë si Artiol Shaqiri në kategorinë deri 76 kg . Ammar Arifi u ndal në xhiron e parë në kategorinë deri 68 kg, kurse xhiroja e parë ishte e pakalueshme edhe për Leart Gashin në kategorinë mbi 76 kg.
Te karateistet juniore, në kategorinë deri 53 kg, Denisa Shabani kaloi pengesën e parë, ndërsa humbi në xhiron e dytë e më pas edhe në repesazh. Qëndresa Ibrahimi humbi në xhiron e parë (59 kg), Adriana Fejzullahu (66 kg) në të dytën, Diellza Mahalla në të parën (66 kg).
Paraqitjet më të mira Kosova i kishte në grupmoshën U21. Në kata, Alma Loki e kaloi pengesën e parë, u ndal në të dytën e më pas edhe në repesazh.
Në luftëra, në kategorinë deri 50 kg, Redona Gashi humbi fillimisht, por në repesazh shënoi dy fitore. Për medalje bronzi humbi nga ukrainasja Valeriia Sergaieva.
Në 55 kg, Anila Foniqi kaloi pengesën e parë, ndërsa u ndal në të dytën.
Behije Mustafa ishte karateistja më e mirë e Kosovës në Tbilisi. Rreshtoi tri fitore para se të ndalej në xhiron e katërt në kategorinë deri 68 kg. Të dielën për medalje të bronztë pësoi nga turkja Sudenur Aksoy. Humbi me rezultatin 4:2.
Edhe
Behije Mustafa, nënkampione e Evropës në karate
Karateistët e grupmoshës U21 të Kosovës kishin paraqitje më të zbehtë. Islam Selmani u ndal në luftën e parë në kategorinë deri 60 kilogramë. Dren Ibrahimi kishte ecuri të njëjtë në kategorinë deri 67 kg.
Pa medalje ka mbetur edhe Shqipëria, ndërsa Anes Arifaj i Malit të Zi fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri 70 kg te kadetët.