Përfaqësuesja e Kosovës do ta nisë edicionin 2022/23 të Ligës së Kombeve në udhëtim, tek Estonia apo Qipro, varësisht se cila prej këtyre përfaqësueseve do ta fitojë plejautin për të luajtur në Ligën C. Kjo ndeshje do të zhvillohet më datën 2 qershor, ka njoftuar UEFA në uebfaqen e saj të premten. Kosova është pjesë e Grupit C2 pas shortit të tërhequr të enjten në Nyon të Zvicrës. Pjesë e këtij grupi janë edhe Greqia e Irlanda e Veriut. Kosova, katër ndeshje i luan në qershor të vitit të ardhshëm e dy në shtator. Me gjashtë ndeshje përfundon kampanja në edicionin të tretë të Ligës së Kombeve. Në rast se del e para në grup që e ka edhe synim, atëherë në sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e Ligës B të Kombeve që është niveli i dytë. E nëse mbetet e fundit, atëherë rrezikon të bie në Ligën D, nivel në të cilin mori pjesë në edicionin e parë.
Kundërshtari i tretë i Kosovës në C2 nuk është përcaktuar ende dhe duhet të pritet deri më datën 29 mars të vitit të ardhshëm për të parë se kush do të jetë pjesë e grupit – Qipro apo Estonia. Qiproja e Estonia do të luajnë dy ndeshje të plejautit për të përcaktuar se cila prej tyre do të vazhdojë në Ligën C e cila do të bie në Ligën D. Do të përballen mes vete për të shmangur rënien. Ndeshja e parë luhet në Tallin të Estonisë më 24 mars, ndërsa e kthimit në Larnaca më 29 mars. Megjithatë, te Estonia janë të bindur se do të jenë pjesë e Grupit C2, kështu të paktën ka thënë përzgjedhësi i Estonisë, Thomas Haberl. Ai ka thënë se grupi është shumë i fortë dhe ka vlerësuar lart Kosovën dhe Greqisë, që sipas tij do të luftojnë për ngjitje në Ligën B. Madje, ai ka thënë se Kosova meriton më shumë.
“Ne fillimisht duhet të kujdesemi që të fitojmë ndeshjet e plejautit dhe të konfirmohemi në Ligën C dhe pastaj kemi kohë deri në qershor që të përgatitemi për duelet që na presin. Sa i përket shortit, mund të them se nuk është aspak i lehtë. E kemi Irlandën e Veriut që është kundërshtar i pranueshëm, por të njëjtën gjë nuk mund të them edhe për Greqinë e Kosovën. Për mua, këta janë kundërshtarët më të fortë dhe do të synojnë ngjitjen në Ligën B. Kanë shumë cilësi dhe ne do të kemi vështirësi të mëdha përballë tyre”, është shprehur Haberl. “Greqia është e fortë, por Kosova është një shtet i ri që meriton pozitë më të lart. Luajmë me shumë emocion dhe kanë një skuadër të mirë”.
Tri ditë pas ndeshjes së parë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve, Kosova do të luajë në shtëpi me Greqinë (5 qershor). Me Greqinë, “Dardanët” janë takuar katër herë në dy vjetët e fundit. Fillimisht, më 6 shtator të vitit të kaluar në Prishtinë, Greqia fitoi 2:1 në kuadër të Ligës C të Ligës së Kombeve. Më 14 tetor të vitit të kaluar Greqia e Kosova luajtën pa gola në Athinë. Fitues nuk kanë dhënë as dy ndeshjet e këtij viti, që u takuan eliminatoreve për Botërorin 2022. Më 5 shtator në Prishtinë, Kosova e Greqia luajtën 1:1. Me rezultat të njëjtë përfundoi edhe ndeshja në Athinë, e luajtur më 14 nëntor. Në të vërtetë, Kosova në qershor do t’i luajë edhe dy ndeshje të tjera. Në edicionin e ri të Ligës së Kombeve nga katër ndeshje zhvillohen në qershor dhe dy të fundit në muajin shtator të vitit të ardhshëm. Më 9 qershor, Kosova e pret në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Irlandën e Veriut përpara se të përballet në udhëtim me Greqinë (12 qershor). Tek Irlanda e Veriut kanë insistuar se me padurim presin të përballen me Kosovën që do të jetë hera e parë.
“Ky do të jetë një grup sfidues i ndeshjeve. Shorti është i pranueshëm në përgjithësi por aspak i lehtë. Kemi kujtime të mira nga përballja jonë e fundit kundër Greqisë”, ka thënë përzgjedhësi i Irlandës së Veriut, Ian Baraclough. “Nga ana tjetër, përballja me Kosovën do të jetë e para për ne. Kjo do t'u japë djemve tanë një provë vërtet të mirë dhe e di që të gjithë do ta shijojmë në maksimum”.
Dy ndeshjet e fundit të grupit, Kosova i luan në muajin shtator. Më 24 shtator luan në udhëtim tek Irlanda e Veriut, ndërsa tre ditë më vonë e pret në shtëpi Qipron apo Estoninë. Te Kosova janë shprehur optimistë pas tërheqjes së shortit dhe kanë pranuar se synimi është ta fitojnë grupin për t’u promovuar në Ligën B të Ligës së Kombeve për sezonin 2023/24.
“Mund të them se është një grup shumë interesant. Nuk është i lehtë, por edhe ne jemi në këtë nivel dhe duhet të bëjmë gjithçka për të arritur objektivin, e ai është vendi i parë në grup. Greqia e Irlanda e Veriut nuk janë ekipe të lehta, por me Greqinë jemi takuar katër herë dhe nuk është se ka treguar diçka më shumë se ne. Kështu që kjo na bën të besojmë se mund të dalim të parët në grup, pasi e njohim mirë”, ishin fjalët e drejtorit të Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti.
Kosova nuk ka pasur rezultate të mira gjatë vitit 2021. Ka mbetur e fundit në grupin kualifikues për Botërorin 2022, pas Spanjës, Suedisë, Greqisë e Gjeorgjisë. Mirëpo, para se të fokusohen te kundërshtarët e Grupit C2, në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) po punojnë intensivisht për ta zgjidhur çështjen e përzgjedhësit. Aktualisht, Kosova është pa trajner pas largimit të Bernard Challandesit, ndërsa ndihmësi i tij, slloveni Primozh Gliha ishte i angazhuar vetëm për ndeshjet e muajit të kaluar. Në FFK, më herët kanë thënë se deri në muajin mars të vitit të ardhshëm, do të dihet emri i përzgjedhësit të “Dardanëve”.
Ndeshjet e Kosovës në Ligën e Kombeve
2 qershor 2022: Qipro/Estonia – Kosova
5 qershor 2022: Kosova – Greqia
9 qershor 2022: Kosova – Irlanda V.
12 qershor 2022: Greqia – Kosova
24 shtator 2022: Irlanda V. – Kosova
27 shtator 2022: Kosova – Qipro/Estonia