Sport

Klubet e Prizrenit me shumë telashe prej kur palestra është shndërruar në qendër vaksinimi

Shndërrimi i qendrës sportive “Sezai Surroi” në pikë të vaksinimit kundër COVID-19, u ka pamundësuar klubeve të Prizrenit që të kenë qasje në palestrën ku kanë zhvilluar aktivitetin.

Dhe klubet e basketbollit, hendbollit dhe sporteve të tjera, që zhvillohen në palestër, po detyrohen të gjejnë zgjidhje alternative si për stërvitje ashtu edhe për ndeshjet që i kanë si vendas.

Të mërkurën janë bërë tre muaj prejse palestra e Prizrenit po e kryen funksionin e qendrës së vaksinimit dhe klubet nuk kanë një datë se kur do të jenë në gjendje të kthehen në shtëpinë e tyre.

Madje, datë për lirimin e palestrës nuk kanë dhënë as nga Ministria e Shëndetësisë (MSH). Tri klubet elitare të basketbollit – KB Prizreni-16, KB Bashkimi dhe KBF Bashkimi – janë të detyruara që ndeshjet si vendas të edicionit që është në nismë, t’i zhvillojnë në qytete të tjera.

Drejtues të klubeve kanë treguar se kanë dërguar disa shkresa në Ministrinë e Shëndetësisë, me përkrahjen e Federatës së Basketbollit të Kosovës, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Përderisa Prizreni-16, që e fitoi Superkupën e Kosovës javë më parë, është i detyruar që stërvitjet dhe ndeshjet t’i luajë në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, Bashkimi në të dy konkurrencat po e sheh si opsion palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec. Te Prizreni-16 kanë pranuar se pamundësia e shfrytëzimit të palestrës “Sezai Surroi” po u shkakton shumë telashe dhe shpenzime që nuk ishin planifikuar para fillimit të këtij sezoni. Superliga e basketbollistëve ka nisur të martën derisa te vajzat Superliga fillon muajin e ardhshëm.

Trajneri i Prizrenit-16, Arbnor Rifati, ka thënë se prej gjysmës së gushtit, kur ekipi ka filluar përgatitjet, rregullisht kanë udhëtuar për të stërvitur në Suharekë. Rifati thotë se nëse nuk bëhet një zgjidhje dhe palestra nuk lirohet deri në fund të shtatorit, do të jenë të detyruar të protestojnë.

“Kemi probleme shumë të mëdha dhe nëse deri në fund të muajit nuk na lirohet palestra, do të përpiqemi me mënyra të tjera të futemi në shtëpinë tonë. Askush nuk po na merr parasysh edhe pse kemi dërguar tashmë disa shkresa edhe me FBK-në në Ministrinë e Shëndetësisë, të cilat duket se kanë hasur në vesh të shurdhër. Mungesa e palestrës është kosto shtesë për ne. Shkaku i kësaj mund edhe të mos i arrijmë objektivat tona. Prej 20 gushtit rregullisht udhëtojmë në Suharekë për stërvitje, kurse edhe ndeshjet si vendas duhet t’i luajmë atje. Si ekip na përshtatet deri diku Suhareka, sepse është afër. Por nëse duhet të zhvendosemi në Rahovec apo Gjakovë, atëherë do të jetë e papërballueshme”, tha Rifati. “Prej qershorit palestra e Prizrenit është e zënë për shkak se përdoret për vaksinim. Nuk jam ekspert i çështjeve të shëndetësisë, por ka shumë vende të tjera në Prizren ku mund të kryhet vaksinimi. Komuna na ka mundësuar të stërvitemi nëpër shkolla, por aty sallat nuk i plotësojnë kushtet dhe është rrezik për lëndimin e lojtarëve. Po ashtu nuk janë me masa standarde”.

Skuadrat e Bashkimit te djemtë dhe vajzat janë fokusuar në sallat e shkollave në Prizren. Te KB Bashkimi kanë thënë se duhet të vazhdojnë me stërvitje në Rahovec dhe se kanë bërë kërkesë për këtë në Komunën e Rahovecit. Këtë e ka konfirmuar drejtori i klubit, Artan Kurti, të enjten për KOHËN.

“Kemi reaguar para se palestra të bëhej qendër vaksinimi, por askush nuk na mori parasysh. Ne kemi shpresuar se kjo do të zgjaste deri në muajin gusht dhe pastaj vaksinimi do të zhvendosej në ndonjë lokacion tjetër, por kjo nuk ndodhi. Është hendikep i madh, sepse jemi detyruar që të improvizojmë dhe të stërvitemi nëpër salla të shkollave fillore dhe të mesme, që është shumë vështirë. Ndeshjet si vendas do t’i luajmë në Rahovec, ku do të zhvendosemi edhe për stërvitje”, tha Kurti. “Do të bëja apel edhe një herë që të rishqyrtohet mundësia nga Ministria e Shëndetësisë për të gjetur lokacione të tjera sikurse në qytetet e tjera dhe palestra t’u kthehet klubeve sportive. E di që situata me pandeminë nuk është e mirë në vendin tonë, por nuk duhet lënë anash sportistët”.

Ekipi i vajzave të Bashkimit është detyruar që fillimisht të nisë me stërvitje në salla të shkollave të Prizrenit përpara se të udhëtojnë për në Rahovec, ku do t’i luajë ndeshjet si vendas në Superligë dhe Ligën Unike.

“Nuk kemi kurrfarë informacioni se kur do të lirohet palestra. Përkundër kërkesave që i kemi bërë, ne ende jemi në pritje të një date se kur mund të kthehemi në palestrën tonë. Jemi në gjendje të keqe, pasi kemi filluar stërvitjet në salla të shkollave dhe duhet pastaj të vazhdojmë në Rahovec ku duhet t’i luajmë edhe ndeshjet si vendas. Ky është një problem shumë i madh për ne, sepse duhen bërë shpenzime shtesë”, ka thënë kryetari i KBF Bashkimit, Rrahman Përteshi.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë konfirmuar se vaksinimi i qytetarëve do të vazhdojë në “Sezai Surroi” dhe nuk kanë dhënë një datë se kur do të lirohet palestra për klubet prizrenase.

“Tash për tash qendrat e vaksinimit do të vazhdojnë të përdoren për vaksinim kundër Covid-19 në lokacionet ekzistuese, të përzgjedhura nga secila komunë”, ka thënë shkurt zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Në Komunën e Prizrenit arsyetohen duke theksuar se vendimi se ku do të bëhet vaksinimi i takon Ministrisë.

“Vaksinimi do të vazhdojë në palestër deri në një vendim tjetër, pasi MSH-ja na ka njoftuar se nuk ka gjetur lokacion tjetër. Ne kemi bërë kërkesë”, ka thënë Sazan Cukaj, koordinator i drejtorisë për sport në Komunën e Prizrenit.

Problem të ngjashëm sikurse klubet prizrenase kanë edhe klubet në disa qytete të tjera. Drita e Gjilanit, ekip i rikthyer pas shtatë vjetësh në Superligën e Kosovës në basketboll, stërvitjet po i mban në salla të shkollave, kurse ndeshjet si vendas i luan në palestrat e skuadrave kundërshtare.