Trajneri Juergen Klopp nuk do të largohet nga Liverpooli përkundër rezultateve të dobëta të ekipit të tij këtë sezon, njofton “Sky Sports” të hënën. Gjermani ka insistuar se nuk e ka ndërmend të dorëzohet, por do ta vazhdojë punën e tij në krye të ekipit anglez.
Madje, ai ka thënë se do ta respektojë deri në fund kontratën e tij me Liverpoolin. Klopp ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2026, ndërsa është trajner i ekipit prej vitit 2015.
“E kuptoj që njerëzit mendojnë se do të largohem, por unë nuk do të shkoj askund dhe nuk e kam ndërmend një gjë të tillë. Kam shumë përgjegjësi dhe për këtë arsye mbetem këtu”, është shprehur Klopp. Aktualisht, Liverpooli është në pozitën e dhjetë në tabelë dhe po lufton për një vend që sezonin tjetër dërgon në garat evropiane.