Klubi i futbollit të femrave Mitrovica ka lëshuar dy njoftime të hënën për ndeshjen finale kundër EP Hajvalisë.
Finalja e Kupës do të luhet të mërkurën nga ora 17:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Por, te Mitrovica kanë frikë se loja brenda fushës nuk do të ketë shumë rëndësi.
“Jemi shumë të motivuar dhe të përqendruar për të zhvilluar një lojë të bukur dhe korrekte me futboll cilësor, e cila na ndihmon në arritjen e qëllimeve tona. Jemi të vetëdijshëm që nuk do jetë përballje e lehtë, duke pasur parasysh forcën e kundërshtarit jo shumë në fushë, sa e ka jashtë fushe, i cili gjatë këtij edicioni ka treguar atë ‘fuqinë’ e vetë në mënyra jo sportive, me të cilat po mundohen të na godasin pabesisht, por ne nuk do të qëndrojmë duarkryq, do të luftojmë në fushë ti arrijmë sukseset tona, kurse për lojërat jo sportive dhe të ndëshkueshme sipas ligjit dhe rregullave të futbollit të kundërshtarit do merren organet përgjegjëse”, shkruan në njërin prej dy postimeve të KFF Mitrovicës në Facebook. “Ne besojmë në forcën, sinqeritetin dhe korrektësinë e ekipit tonë dhe do të arrijmë qëllimin që kemi përpara duke dalë fitimtar ne çdo betejë që kemi përpara”.
EP Hajvalia në gjysmëfinale eliminoi Dukagjinin, të cilin e mposhti 4:1, kurse Mitrovica 16 Qershorin me shifrat, 7:1.
Mitrovica është fituese në fuqi e Kupës së Kosovës. E mposhti EP Hajvalinë me rezultatin 2:1. Të dyja ekipet janë në garë edhe për titull të kampionit të edicionit aktual.