EP Hajvalia është kampione e Kosovës në futboll. Futbollistet e Hajvalisë u shpallën kampione të premten në Drenas. E fituan ndeshjen përcaktuese për titull, 3:1, ndaj Mitrovicës.
Mitrovica ditë më parë fitoi Kupën e Kosovës, por Hajvalia ia doli ta mbrojë titullin e kampionit.
Ndeshja në Drenas i ka takuar xhiros së 21-të, të fundit për këtë edicion, ka njoftuar FFK-ja. Të dy ekipeve kishin pikë të barabarta në renditje, ndërsa dy ndeshjet e para nuk kishin dhënë fitues. Dhe ndeshja përcaktuese vendosi kampionen.
Flora Musaj shënoi në minutën e 42-të për rezultatin 1:0 në të mirë të Mitrovicës. Por futbollistet e Suad Keqit u kthyen në pjesën e dytë duke i shënuar tre gola.
Verona Berisha shënoi për 1:1 në minutën e 58-të, ndërsa për 2:1 realizoi Feride Kastrati në minutën e 64-t. Rezultatin 3:1 e vendosi Albulena Guri me golin e minutës së 87-të.
Me triumfin në kampionat, Hajvalia do të paraqitet në garat e Ligës së Kampionëve.
Kampionati i futbollisteve është goditur fuqishëm nga mungesa e konkurrencës. Ka pasur rezultate shumë të thella, ndërsa Hajvalia e Mitrovica nuk kishin rival tjetër të denjë. Këto dy skuadra kanë investuar goxha dhe tani kanë nga një trofe të fituar.