Golden Eagle Ylli është gati për sezonin e ri në Superligën e Kosovës në basketboll dhe i vendosur për ta mbrojtur titullin e kampionit. Kështu, ka insistuar drejtori Egzon Fetiu për KOHËN të mërkurën, ditën kur edhe është tërhequr shorti për edicionin 2022/23, që starton më 10 shtator. Mbrojtjen e titullit, Ylli e nis në udhëtim. Luan kundër Rahovecit në palestrën “Mizahir Isma”. Ylli në dy sezonet e fundit ka fituar titullin e kampionit dhe konsiderohet si njëri prej favoritëve për titull edhe në sezonin e ri, i cili pritet të jetë interesante dhe shumë konkurrues.
“Synimet janë të njëjta, por vetëm ekipi ka ndryshuar. Pra, edhe në sezonin e ri do të futemi me ambicie të mëdha. Duam ta mbrojmë titullin e kampionit dhe kjo nuk diskutohet. Sigurisht, nuk do të jetë lehtë për shkak se të gjitha ekipet janë përforcuar dhe konkurrenca do të jetë e fortë. Mirëpo, ne kemi synimet tona dhe në sezonin e ri do të futemi për titullin e tretë rresht”, ka thënë Fetiu.
Skuadra nga Suhareka në sezonin e ri do të jetë pa dy prej lojtarëve kryesorë vendorë, Erjon Kastrati e Mikaile Tmushiqi, të cilët i janë bashkuar Trepçës. Megjithatë, Ylli ka angazhuar Valon Bunjakun dhe Malcolm Armstedain, i cili llogaritet lojtar vendor. Po ashtu, ka vazhduar bashkëpunimin me Chris Harrisin, Henrik Shirkon e Ismet Sejfiqin dhe deri në fund të javës do ta kompletojë edhe me dy të huaj të tjerë.
“Po besoj që deri në fund të javës do të kompletohemi edhe me dy lojtarë të huaj për të qenë plotësisht të gatshëm për sezonin e ri. Ekipi ka kohë që ka nisur përgatitjet dhe do të jetë i gatshëm jo vetëm për Superligë, por edhe turneun kualifikues të Ligës së Kampionëve. Kemi cilësi për sezonin e ri që do të jetë tepër interesant”.
Edhe te kundërshtari i parë i Yllit, Rahoveci, insistojnë se do të jenë gati për sezonin e ri. Rahoveci është ekipi i fundit që ka nisur përgatitjet dhe ende nuk është kompletuar me lojtarë të huaj. Deri më tani, “Vreshtarët” që sezonin e shkuar përfunduan në pozitën e parafundit dhe luajtën në plejaut, kanë angazhuar vetëm fundorin Jahii Carson e qendrën Rasheed Worrell. Në krye të ekipit do të jetë trajneri Muhamed Thaqi.
“Besoj se do të jemi të gatshëm për ta startuar edicionin kundër kampionit në fuqi, edhe pse ende nuk jemi kompletuar. Ylli është kampion, por sezoni është i ri. Përgatitjet po shkojnë mirë dhe gjatë kësaj jave do të jemi të kompletuar”, ka thënë Thaqi.
Në xhiron e parë, duel tjetër interesant do të jetë ai në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Skuadra e Pejës e pret Sigal Prishtinën, pjesë e së cilës është Dardan Berisha. Si Peja, ashtu edhe Prishtina janë forcuar për sezonin e ri dhe ka kohë që kanë filluar me përgatitjet. Nënkampionia, Trepça, e pret në Mitrovicë skuadrën e Ponte Prizrenit.
Ndërkohë, Vëllaznimi i rikthyer në elitë luan në Prizren kundër Bashkimit. Shorti për sezonin e ri është tërhequr edhe për Superligën e femrave, që starton një muaj më vonë, saktësisht më 15 tetor. Penza e nis mbrojtjen e titullit me ndeshjen kundër Bashkimit në Prizren. Duelet e tjera janë: Prishtina – Vëllaznimi dhe Trepça – United Basketball.