Pas humbjes së thellë nga Trepça në Mitrovicë, fundjavën e kaluar, Golden Eagle Ylli ka prezantuar tre lojtarë të rinj. Bëhet fjalë për amerikanët Demetrius Conger, Dustin Thomas dhe Josh Gray. Të tjera ndryshime mund të bëhen ndërkohë te klubi suharekas.
Dhe Ylli, me pamje thuajse plotësisht tjetër, e kërkon fitoren ndaj Bashkimit, të shtunën nga ora 19:30 në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.
Ndeshja Golden Eagle Ylli – Bashkimi vlerësohet kryesorja e xhiros së 19-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Ylli ka bërë ndryshime të shumta këtë edicion dhe vazhdon të kërkojë përbërjen më të mirë, me synim për ta fituar titullin e kampionit. Pjesa e deritashme e kampionatit nuk ishte shumë premtuese për suharekasit. Aktualisht Ylli e mban vendin e pestë me bilanc prej tetë fitore e dhjetë humbje, përkatësisht me 26 pikë.
Bashkimi është i treti me 33 pikë.
Derisa suharekasit kishin gjithë javën për ta përgatitur derbin me Bashkimin, prizrenasit të mërkurën e luajtën gjysmëfinalen e parë të Kupës. E mposhtën bindshëm Sigal Prishtinën. Të enjten Bashkimi njoftoi për ndarjen me T. J. Bickerstaff dhe për angazhimin e Kenny Wooten Jr.
Xhiroja e 19-të hapet me ndeshjen Bora – Trepça, që zhvillohet të shtunën nga ora 17:00 në Prishtinë. Trepça të mërkurën fitoi bindshëm dhe pa telashe ndaj Borës në gjysmëfinalen e parë të Kupës. Dhe mitrovicasit, që janë në seri prej dhjetë fitoreve në kampionat, udhëtojnë për sukses të ri në Prishtinë. Trepça është lidere me 33 pikë. Bora renditet e katërta me 27 pikë.
Të dielën janë edhe dy ndeshje të rëndësishme. Nga ora 17:00 takohen Sigal Prishtina e GO+ Peja. Bëhet fjalë për dy prej skuadrave të mëdha të basketbollit kosovar, por që po vuajnë për stabilitet këtë edicion. Prishtina të enjten është ndarë me trajnerin grek Michail Kakiouzis, që ishte në krye të skuadrës nga fillimi i edicionit.
Ndërkohë Peja mori goditje në parket. U mposht nga Vllaznia e Shkodrës në “Karagaçi”, në ndeshje të Ligës Unike.
Peja është e treta me 27 pikë, ndërsa Prishtina vetëm e gjashta me 26 pikë.
Xhiroja mbyllet me derbin e fundit të tabelës, Rahoveci 029 – Vëllaznimi, që zhvillohet të dielën nga ora 19:30 në “Mizahir Isma”.
Vëllaznimi i ka 24 pikë në vendin e shtatë. Rahoveci 029 është i fundit me 23 pikë.