Lirim Kastrati është i gatshëm për një fillim të ri. Është i gatshëm të luftojë për hapësirë. Por, në një ligë më të dobët. Në një klub më të vogël.
Në kërkim të shpërthimit, reprezentuesi i kohëpaskohshëm i Kosovës ka bërë edhe një hap prapa në karrierë. Pasi la gjigantin kroat, Dinamo Zagreb, për Legian e Varshavës, Kastrati ka lënë edhe skuadrën polake. Nga Legia është larguar për të vazhduar karrierën në Hungari. Të hënën ka firmosur me skuadrën Fehervar. Liga hungareze vlerësohet se qëndron prapa asaj polake. Përfundimisht Fehervari është klub më i vogël se Legia. Ashtu si Legia është klub më i vogël se Dinamo Zagrebi.
Kastrati ishte larguar nga Dinamo pasi nuk po luante rregullisht. Për arsye të njëjtë është larguar edhe nga Legia, një prej klubeve më të mëdha në Poloni.
Fehervari kampionatin e kaluar e ka përfunduar në vendin e katërt në Hungari. Ka tre tituj të Hungarisë. Të parin në vitin 2011, të dytin në vitin 2015 dhe të fundit në vitin 2018. Nënkampion ishte tetë herë, ndërsa Kupën e Hungarisë e ka fituar dy herë.
“Nganjëherë në rrugën drejt ëndrrave tua, t’i kthehesh prapa dhe duhet të rifillosh gjithçka. Jam këtu tash, më i fortë se kurrë, me besim dhe i gatshëm të luftoj”, ka shkruar Kastrati pasi ka kompletuar transferimin në Hungari.
Potenciali i Kastratit asnjëherë nuk është vënë në dyshim. E karakterizon shpejtësia, por te Legia ajo nuk mjaftoi. Ka javë që ishte e qartë se 23-vjeçari nuk ka të ardhme në klubin polak. Ai luajti vetëm në një prej shtatë ndeshjeve të këtij edicioni. I kaloi 13 minuta në fushë. Dy herë tjera ishte në stol, ndërsa në katër ndeshjet e fundit nuk u grumbullua fare.
Në edicionin e kaluar i kishte 15 paraqitje në kampionatin polak. Nuk shënoi gol dhe nuk asistoi. Kishte një gol në Ligën e Evropës dhe një gol e një asistim në ndeshjet për kupë.
Te Dinamo e Zagrebit kishte katër gola e nëntë asistime në 51 paraqitje. Jo mjaftueshëm për t’u stabilizuar në ekipin bazë të gjigantit kroat. Kishte shpërthyer te Lokomotiva e Zagrebit dhe kështu siguroi transferimin te Dinamo.
Kastrati ka 17 paraqitje për Kosovën, por ka kohë që nuk ka luajtur. Ai shpreson që të kthejë karrierën në binarë me kalimin në futbollin hungarez.
Ka firmosur për tre vjet. Kastrati ka theksuar se kishte oferta edhe nga klube tjera, por vlerëson se Fehervar është klubi i duhur për të.
“Ndiej se do të jetë një mundësi e mirë që të shfaq veten. Qëllimi im është që të paraqitem në atë mënyrë që trajneri i Kosovës të llogarisë sërish në mua. Jam i bindur se do të kemi stinor të suksesshëm me ndeshje të mira dhe gola”, ka thënë Kastrati.
Me 23 vjet, Kastrati ende ka kohë për të shpërthyer në nivelet serioze të futbollit evropian. Shumë do të varet nga bilanci që do të ketë te skuadra hungareze. Gola dhe asistime priten prej tij për të bërë hapin tjetër në karrierë. Natyrisht në drejtimin e duhur.